"Peskara 2009" rikthen te shtanga Fetije Kasën
Pas dy vjetësh pezullim rikthehet sërish në pedan peshëngritësja e njohur shqiptare Fetije Kasa. Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja. Gjatë Kampionatit Evropian të Peshëngritjes në muajin maj 2007, ku Kasaj mundi të shpallej edhe nënkampione e kontinentit të vjetër në stilin e shtytjes dhe në dygarësh, ajo rezultoi pozitive për përdorim të substancave të ndaluara dhe u përjashtua për dy vite nga të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Ndërkohë që tashmë periudha e pezullimit të saj ka mbaruar, ajo i është rikthyer stërvitjes dhe është mes pjesëmarrësve në lojërat verore "Peskara 2009" në Itali. Në turneun që do të zhvillohet nga 25 qershori deri më 5 korrik në qytetin italian, do të marrin pjesë 10 peshëngritës shqiptarë, mes të cilëve 3 ferma dhe 7 meshkuj. Grupi i femrave do të përfaqësohet nga Fetije Kasa (58 kg), Romela Begaj (58 kg) dhe Sherjana Ruci (63 kg). Ndërsa për meshkuj do të garojnë në "Peskara 2009", Daniel Godelli (69 kg), Briken Çalja (69 kg), Erkand Qerimaj (77 kg), Ervis Tabaku (85 kg), Endri Haxhihyseni (85 kg), Endri Karina (94 kg), Taulant Çerepi (94 kg) dhe Serafin Veli (105 kg).