E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon afati i Xhanit, Partizani në "hava"

Skadon edhe afati më i fundit dhe te Partizani sërish asgjë nuk ka ndryshuar. Në përfundim të ndeshjes "play-out" Partizani-Kastrioti, të humbur 1-0 nga të kuqtë dhe që i rrëzoi këta të fundit në kategorinë inferiore, presidenti Albert Xhani premtoi edhe njëherë se "do t‘i shlyej të gjithë futbollistët brenda 15 ditësh dhe do ta ribëj përsëri Partizanin e madh". Ishte pikërisht dita e shtunë skadenca e afatit 15-ditor të presidentit, kur lojtarët e Partizanit do të duhej të merrnin paratë në dorë dhe po këtë ditë do të mësohej edhe se cili do të ishte projekti i së ardhmes së skuadrës, që njëkohësisht mund të përcaktonte edhe të ardhmen e grupit të lojtarëve të sezonit të fundit. Por, edhe ky premtim i Xhanit rezultoi bosh, ashtu si shumë të tjerë gjatë këtij sezoni. Si në të kaluarën, edhe dje situata te klubi i të kuqve ka mbetur e njëjtë: të gjithë janë në pritje të një haberi të ri, pasi presidenti Xhani mësohet se ka vënë një afat të ri. Megjithatë, ndërsa klubi nuk lëviz, skuadrat e tjera nuk qëndrojnë duarkryq. Pjesa dërrmuese e ekipeve të Superiores i kanë kthyer sytë nga Partizani me synimin për të "rrëmbyer" ndonjë element të nevojshëm për skuadrat e tyre. Shumë prej "heronjve" të "demave të kuq" e pranojnë tashmë se kanë marrë oferta nga klube të tjera për sezonin e ardhshëm, por nuk kanë vendosur asgjë, sepse në fillim ata dëshirojnë të dëgjojnë fjalën përfundimtare të presidentit Xhani. Nga burime brenda klubit, ky i fundit ka lëshuar edhe një tjetër premtim nga të vetat: "Më duhet edhe pak kohë dhe gjithçka do të zgjidhet". Durimi i të gjithë atyre që presin fjalën e tij po shkon drejt fundit dhe nëse gjërat nuk bëhen të qarta në pak javë, janë të gatshëm për një "eksod" masiv, pasi koha e sakrificave sipas tyre tashmë ka marrë fund. Megjithatë, për momentin kanë vendosur t‘i japin edhe një shans presidentit, pasi edhe koha pret. Ashtu si lojtarët, ofertat nuk mungojnë as për trajnerin Shpëtim Duro, i cili bëri një performancë të mirë në krye të të kuqve, edhe pse qëndrimi në elitë nuk varej vetëm prej tij. Besa e Xhat Bizhdilit e pret krahëhapur. Madje mes tyre ka edhe një para-marrëveshje, që ka si kusht pritjen e një përgjigjeje përfundimtare deri në fund të javës që vjen. Kjo kohë përkon edhe me skadencën e premtimit të Xhanit. "Është e vërtetë që kam marrë disa oferta gjatë këtyre dy javëve dhe se më ka joshur mundësia për të drejtuar Besën në sezonin e ardhshëm, u shpreh ish-ndihmësi i trajnerit kroat të Kombëtares, Oto Bariç. Me klubin e Kavajës kam rënë parimisht dakord, por akoma nuk e kam vendosur, pasi ndihem ende trajneri i Partizanit dhe nuk dua ta braktis. Të premten kam takuar presidentin Xhani, i cili më kërkoi edhe një javë kohë për të dhënë një vendim përfundimtar. Nëse do të ndryshojë situata financiare, ekipi do të ruajë formën e tij, unë do të qëndroj këtu". Por nëse këtë fundjavë Xhani nuk ka një zgjidhje të pëlqyeshme, atëherë Duro, edhe pse me zemër të thyer, do të zgjedhë pankinën e Besës", ka përfunduar trajneri Duro.

Struktura

12 apo 16 skuadra? Kjo i mundon të kuqtë

Përveç zgjidhjes së problemeve financiare dhe projektit për sezonin e ardhshëm, lojtarët e Partizanit varen edhe nga përcaktimi përfundimtar mbi ndryshimin apo jo të strukturës së kampionatit shqiptar të futbollit. Ky debat është hapur menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve "play-out", kur katër skuadra të Superiores së edicionit të fundit, Partizani, Elbasani, Lushnja dhe Bylis, ranë në Kategorinë e Parë. Tashmë mësohet se 12 ekipe të Superiores kanë dorëzuar në FSHF një kërkesë për ndryshimin e strukturës nga 12 ekipe në 16. Kjo nismë do të rikthejë të kuqtë në elitë. Por më parë është e domosdoshme që Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së të shprehet përfundimisht me një vendim në lidhje me këtë kërkesë të klubeve. Sipas burimeve pranë klubit të Partizanit, mësohet se pritja e drejtuesve të të kuqve ka të bëjë edhe me këtë çështje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›