E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot merr formë Tirana e re, priten firmat në kontrata

Dita e sotme do të shënojë edhe nisjen e punës për ndërtimin e Tiranës së re, e cila do të synojë të bëjë një paraqitje sa më të mirë në Champions League gjatë ndeshjeve të kësaj vere, por njëkohësisht ka si detyrë fitimin e titullit kampion dhe Kupën e Shqipërisë, dy trofetë e vetëm që ofron kampionati shqiptar i futbollit. Lajmi është bërë i njohur nga burime pranë kryedonatorit Refik Halili, i cili të enjten e kaluar është rikonfirmuar në krye të klubit bardheblu edhe për një sezon. Pikërisht kjo gjë, sipas burimit tonë, ka mbledhur në një festë futbollistët bardheblu dhe kryedonatorin në orët e mbrëmjes së djeshme. Por po ashtu është mësuar se në këtë festë, secilit prej lojtarëve do t‘u komunikohet edhe mundësia e rinovimit.

Boshti i skuadrës, tek i cili Tirana pritet të mbështetet për sezonin e ardhshëm, ekziston. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë kryedonatori Refik Halili. Kjo, pasi disa prej lojtarëve kryesorë i kanë kontratat me Tiranën. Futbollistët, të cilët nuk kanë nevojë të negociojnë me Halilin për kontratat e tyre janë Mukaj, Memelli, Muzaka, Osmani, Devolli, Agolli e Sabien Lila, por edhe disa futbollistë të rinj, si Metani, Sorra e Ferra. Gjatë bisedimeve të fundit duket se është arritur akordi pothuajse me shumicën e titullarëve dhe sot në klub mund të mbërrijnë kontratat e para. Mes të spikaturave janë edhe emrat e Nallbanit, Dabullës dhe Abrahamit. Po ashtu, dita e sotme do të shënojë edhe rifillimin e stërvitjes së bardhebluve, të cilët do të riveshin tutat bardheblu për të zhvilluar edhe seancën e parë në orën 18.00 në "Selman Stërmasi". Ndërkohë që mbetet për t‘u zgjidhur edhe çështja e trajnerit, ku mes kandidatëve të përfolur për të marrë pankinën e Tiranës, është edhe ish-trajneri slloven i Maqedonisë, Sreçko Katanec.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›