Arrestohet speciali grek, mbante pasaportë shqiptare
Policia greke ka arrestuar dje Nestor Kokalin, një ish-pjesëtar i forcave speciale, që morën pjesë në operacionin e kryer mbi pengmarrjen e autobusit nga i riu shqiptar, Arben Cufaj, i njohur si Aleksi Nano. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve NOA. Cufaj mbeti i vrarë nga i arrestuari më 16 korrik 1999, i cili u konsiderua si heroi i Greqisë, pasi presupozohej se shpëtoi nga një shfarosje e mundshme një autobus plot me udhëtarë grekë, që kërcënoheshin nga dy bomba dore që lëvrinin aty brenda. Nestor Kokali, është sot 41 vjeç. Atëherë kur qëlloi për vdekje të riun shqiptar, ishte 30 vjeç dhe mori “lumë” dekoratash. Por dje ai është në qeli, pasi ka rënë në prangat policore greke, nën akuzë që nuk ka lidhje me ngjarjen e 11 viteve më parë, por me abuzim me detyrën dhe shpërdorim të funksioneve shtetërore. Burime zyrtare nga Sektori i Luftës kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Athinës thanë se kanë nisur hetimin në lidhje me veprat e mësipërme penale ndaj 41-vjeçarit Nestor Kokali. Hetime po kryhen edhe nga Shërbimi i Verifikim-Kontrollit të Brendshëm Policor lidhur edhe me faktin pse vrasësi i emigrantit shqiptar posedonte një pasaportë ndërkombëtare shqiptare. Nestor Kokali njihet në Greqi si personi që arriti të shpëtojë një gjakderdhje të mundshme, si rezultat i marrjes peng të një autobusi me pasagjerë më 16 korrik 1999, nga Arben Cufaj, 23 vjeç, një i ri shqiptar i njohur me emrin Aleksi Nano në Greqi. Ai kishte me vete dy bomba dore, sipas raportimeve të policisë greke në atë kohë. Kokali hyri në mënyrë vullnetare në forcat speciale për të marrë pjesë në operacionin për neutralizimin e rrëmbimit dhe mbajtjes peng të autobusit të KTEL Kilkis në Follorinë (Florina). Pas ngjarjes, komandoja nga Volos u dekorua disa herë nga autoritetet greke.
#