E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 65 kg heroinë diplomati Agim Haxhiu



Një zyrtar i ambasadës shqiptare në Maqedoni është kapur me 65 kilogramë heroinë në Turqi. Agim Haxhiu është ndaluar nga agjentët e Antidrogës dhe ata të shërbimeve sekrete në Stamboll teksa po udhëtonte me makinën e tij me targa diplomatike. Ai ishte nisur me sasinë e mallit nga Maqedonia për në Turqi. Haxhiu ishte me detyrë në ambasadën shqiptare si sekretar i dytë. Sipas policisë turke, vlera e drogës së sekuestruar kap vlerën e 650 mijë eurove. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar menjëherë edhe Ministria e Jashtme shqiptare, e cila ka deklaruar se Agim Haxhiu është ish-sekretari i dytë i ambasadës, pasi ishte liruar nga detyra që në datën 1 maj. Policia turke e ka shoqëruar atë në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Operacioni për arrestimin e ish-sekretarit të ambasadës shqiptare në Maqedoni është zhvilluar para gjashtë ditëve, në datën 2 maj. Megjithatë, gjithçka ka qenë sekrete deri ditën e djeshme.

Itinerari

Sipas policisë turke, diplomati i arrestuar e kishte marrë drogën nga Maqedonia. Më pas, ai kishte udhëtuar me makinë në drejtim të Bullgarisë dhe pasi kishte përshkuar këtë shtet, ku nuk ishte zbuluar nga policia, nëpërmjet kufirit tokësor kishte kaluar për në Turqi. Ai ishte lënë nga agjentët e Antidrogës që të mbërrinte në Stamboll, ndërsa më pas ata kanë ndërhyrë. Nga kontrolli i kryer në makinën me targa diplomatike, ata kanë gjetur të fshehur një sasi prej 65 kg heroinë, e cila ishte ndarë në disa pako dhe ishte fshehur në pjesë të ndryshme të makinës. Agjentët e Antidrogës kishin disa kohë që kishin nisur hetimet në lidhje me veprimtarinë e Haxhiut dhe e përfunduan atë të shtunën e kaluar. Autoritetet shqiptare nuk ishin informuar në lidhje me këtë operacion, i cili ishte sekret. Kjo, pasi në itinerarin e përdorur nga ish-sekretari i ambasadës sonë në Maqedoni, nuk ishte territori shqiptar. Haxhiu kishte menduar që të shfrytëzonte statusin e tij, si punonjës i ambasadës, pasaportën dhe makinën me targa diplomatike, për të lëvizur lirisht dhe për të kryer dorëzimin e mallit nga një shtet në tjetrin. Sipas policisë turke, heroina ishte e një cilësie të mirë dhe kapte vlerën e 650 mijë eurove.

Reagimi

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar menjëherë pas arrestimit të Haxhiut me 65 kg heroinë në Stamboll të Turqisë. Në një komunikatë për shtyp bëhet e ditur se “z. Agim Haxhiu, ish-sekretar i Dytë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, me motivin për braktisje të pajustifikueshme të detyrës, që nga data 1 maj deri në datën 6 maj 2009, është liruar nga detyra me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme”. Për më tepër që, sipas reagimit zyrtar, ky vendim, si dhe heqja e çdo privilegji dhe imuniteti diplomatik, i është bërë e ditur zyrtarisht edhe palës maqedonase, si vend ku ishte i akredituar z. Haxhiu.

Detaj

650 mijë euro ishte vlera e drogës që iu kap diplomatit Agim Haxhiu në Stamboll

1 maj ka qenë data kur Ministria e Jashtme ka vendosur shkarkimin e Haxhiut nga funksioni

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›