Petersen: BE nuk duhet të pranojë Serbinë, pa marrëveshje me Kosovën
ta lejojë Serbinë të pranohet në organizatë pa një marrëveshje të qartë për marrëdhëniet e saj me Kosovën. Ish shefi i UNMIK në Kosovë, Soren Jesen Petersen e sheh zgjidhjen e konflikteve ndëretnike në Ballkan, mes tyre edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi, në integrimin evropian. Por, ndonëse zyrtarë të ndryshëm evropianë kanë thënë se Serbia mund të anëtarësohet në BE edhe pa qenë nevoja të njohë Kosovën, ende nuk është e qartë se çfarë modaliteti do të ndiqet për Serbinë, e cila e sheh Kosovën ende si pjesë të territorit të saj. Petersen tha se Bashkimi Evropian duhet të mos lejojë që Serbia të pranohet pa një marrëveshje të qartë për marrëdhëniet me Kosovën. Bashkimi Evropian nuk duhet të ndërmarrë hapa për pranimin e Serbisë përsa kohë që ekziston kjo çështje e pazgjidhur dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës pasi kjo do të cënonte unitetin e BE-së dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perendimor. Siç kemi parë nga gabimet e bëra në të kaluarën ftesa e vendeve të përfshira në mosmarrëveshje dypalëshe si Qiproja, apo emri i Maqedonisë apo mosmarrëveshja së fundmi mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Këto janë pengesa për synimin kryesor për integrimin e këtyre vendeve në BE dhe vonon procesin e associmit. Shpresoj që BE-ja të mos e bëj përsëri këtë gabim, u shpreh ai. Petersen tha se pret një strategji të qartë nga Bashkimi Evropian që do ta detyronte Serbinë të përcaktonte qëndrimin e saj ndaj Kosovës edhe pa e njohur pavarësinë e saj. Serbia ka të drejtën e saj të mos e njohë Kosovën, por besoj se mesazhi i Bashkimit Evropian për Serbinë duhet të jetë ky, keni të drejtë tuaj të mos e njihni Kosovën, por nuk mund të hyni në BE dhe ta mbani Kosovën peng të pozitës suaj. Gjithashtu Serbia duhet të njohë rëndësinë që ka Kosova në bashkëpunimin rajonal pasi ne duam që shtetet në rajon të punojnë së bashku. Sa herë që ka bashkëpunim rajonal Serbia mundohet të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës, vijoi Petersen, për të shtuar se mesazhi nga BE është i qartë se duan Serbinë në BE, por ajo nuk mund ta çojë çështjen e Kosovës në BE dhe nuk mund të vazhdojë të bllokojë bashkëpunimin rajonal për shkak të mosmarrëveshjeve me të. Lidhur me perspektivën e bisedimeve të afërta mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, Peterson është i rezervuar duke kujtuar eksperiencën e tij në negociatat e pasuksesshme mes palëve.
Kacin: Dialogu, Kosovë-Serbi i domosdoshëm
Raportuesi i PE për Serbinë, Jelko Kacin, duke komentuar projekt-rezolutën e këtij Parlamenti, e cila pritet të miratohet në qershor, thotë se me këtë dokument, i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë ti çojnë përpara raportet e tyre, mbi parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Parlamenti Evropian me këtë projekt-rezolutë kërkon nga Serbia të ketë qëndrim pragmatik ndaj statusit të Kosovës, ndonëse apostrofon se njohja e Kosovës tani për tani nuk është një mundësi e pranueshme për udhëheqjen në Beograd. Përmirësimi i këtyre raporteve është padyshim në interes të të të dyja vendeve, njerëzve që jetojnë në këto vende dhe para së gjithash, në interes të rajonit si një tërësi, sepse një gjë e tillë padyshim kontribuon në zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, ka thënë Kacin.