E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga "çiftit", ofronin seks në banesën e tyre

Ofronin seks me pagesë në
banesën e tyre, ndërkohë
që kanë rënë në pranga
të policisë, burri për shfrytëzim
prostitucioni dhe gruaja që
jetonte me të për ushtrim prostitucioni.
Ngjarja e paprecedent
mësohet se është zbardhur krejtësisht
mesditën e djeshme.
Emin Këlliçi, 76 vjeç dhe Meljana
Lapi, 33 vjeçe kanë rënë në
prangat e policisë rreth orës
13.00 të mesditës së djeshme,
pasi e kishin shndërruar
banesën e tyre në një vend ku
ofrohej seks me pagesë. Burime
zyrtare të Komisariatit të Policisë
së Beratit bëjnë të ditur se pak
ditë më parë, pranë këtij organi
kishin mbërritur informacione se
në një banesë njëkatëshe në
lagjen "30 Vjetori" hynin e dilnin
meshkuj të moshave të mesme
dhe sipas dyshimeve mendohej
se aty ofroheshin marrëdhënie
seksuale me pagesë. Menjëherë
pas marrjes së këtij informacioni,
sektori i trafiqeve në bashkëpunim
me organin e akuzës,
kanë nisur hetimet rreth kësaj
ngjarjeje. Prej disa ditësh, në
kuadër të operacionit të koduar
"Madona", mësohet se banesa ku
jetonte 76-vjeçari Këlliçi, së
bashku me 33-vjeçaren Lapi është
mbajtur në survejim të plotë.
Kështu, pas disa ditë hetimesh
operacioni është kurorëzuar me
arrestimin e Këlliçit dhe gruas që
jetonte me të. Gjatë kontrollit të
ushtruar në banesën e tyre, policia
ka bllokuar 30 mjete
mbrojtëse, prezervativ, 30 mijë
lekë të reja, një thikë që posedohej
nga i zoti i banesës Këlliçi
dhe një celular. Nga hetimet e
para, por edhe nga marrja në pyetje
e dy të arrestuarve, policia
zbardhi në detaje se çfarë
ndodhte në banesën që ndodhet
vetëm disa metra larg godinës së
Drejtorisë së Policisë së Beratit.
33-vjeçarja Lapi, e ve, mësohet
se bashkëjetonte prej disa vitesh
me 76-vjeçarin Këlliçi, i divorcuar,
me të cilin kishte një lidhje
disavjeçare. Ky i fundit, pronar i
banesës, mësohet se i kishte propozuar
të dashurës së vet të ushtronte
prostitucion në banesë.
Këlliçi mësohet se arrinte të kontaktonte
me meshkuj të
moshave të mesme, kryesisht
banorë të lagjes, por edhe
lagjeve të tjera dhe duke rënë
dakord mes tyre për 10 mijë lekë
të vjetra i paraqiste ata në banesë
ku u ofronte seks 33-vjeçarja. Kjo
e fundit mësohet se ushtronte
"zanatin" kryesisht gjatë orëve të
paradites. Burri gjatë marrjes në
pyetje mësohet të ketë deklaruar
se nuk e kishte detyruar të
dashurën e tij të shndërrohej në
një punëtore seksi, por të dy ata e
kishin gjetur si zgjidhje mbijetese
këtë gjë në kushtet e vështira
ekonomike, gjë që është pohuar
edhe nga vetë 33-vjeçarja Lapi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›