E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peticion Pangos kundër reformës

Sindikata e artistëve të Teatrit Kombëtar i dërgoi dje një peticion ministrit Ylli Pango, ku kundërshtojnë projektligjin për “Artin skenik” dhe draft-reformën institucionale të paraqitur nga grupi i punës së MTKRS-së“Imponues, cinik dhe i përciptë”. Ky është përkufizimi që artistët e Teatrit Kombëtar i bëjnë projektligjit për “Artin skenik” dhe draft-reformës institucionale të paraqitur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas mbledhjeve të njëpasnjëshme, në emër të artistëve, sindikata e TK-së i dërgoi dje një peticion kundërshtie ministrit Ylli Pango. Në këtë dokument ata kërkojnë zbatimin e Ligjit në fuqi, pa marrë parasysh ndryshimet e propozuara në projektligj. Ata nuk janë dakord me rritjen e kompetencave të bordit artistik dhe zbehjen e figurës së drejtorit, pasi këto ndryshime “do të çorodisin dhe do të krijojnë situata të mosrespektimit të kompetencave ndërmjet titullarit të institucionit dhe bordit artistik, nisur kjo edhe nga eksperienca të mëparshme”. Ata propozojnë që bordi i votëbesuar nga komuniteti i artistëve e më pas nga ministri, të jetë i përbërë në 60% të tij nga personalitete jashtë institucionit dhe pjesa tjetër nga brenda teatrit. Janë të gatshëm për bashkërendimin e punëve për rritjen dhe përmirësimin e aktivitetit të institucionit, por janë kundër “hartimit të projektligjeve imponuese, të cilat krijojnë një situatë aspak inkurajuese në krijimtarinë artistike”.Duke pasur parasysh këtu dy propozime të konsideruara si shumë “të rëndësishme” nga grupi i punës së MTKRS-së, shkurtimin e numrit të artistëve të Teatrit Kombëtar nga 32 në 28 dhe rishikimin e kategorive. Përtej peticionit artistët janë të paqartë në lidhe me këto çështje. Nuk e kuptojnë se përse duhet bërë ky shkurtim, në një kohë kur nga ana e reformatorëve kërkohet shfaqja e 10-12 veprave të repertorit, gjë që do të kërkojë një numër edhe më të madh artistësh. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, thotë se ashtu siç kërkohet, është bërë pasqyra e veprimtarisë së çdo artisti dhe nuk ndodh që ndonjë syresh të mos ketë dalë asnjëherë në skenë. Numrin e vogël (2-3 role) në 7 vitet e fundit të 4-5 aktorëve ai e justifikon edhe me ngjitjen në skenë të veprave me një numër të kufizuar personazhesh, kjo për arsye financiare, apo prej preferencave të regjisorëve. Skrami vë në dukje hendekun e moshës që ekziston mes aktorëve. Është një numër i madh aktorësh që pritet të dalin në pension, ndërkohë që vendin e tyre nuk ka kush ta zërë. “Që në kohën e ministrit Leskaj kam kërkuar një buxhet minimal shtesë për marrjen me kontrata të përkohshme të artistëve të rinj, në mënyrë që ata të njihen me punën në teatër, të mësohen me skenën dhe në varësi të kërkesave nga ana e regjisorëve, të mund të punësohen. Nuk mund të punësojmë njerëz që nuk e njohin skenën, pavarësisht se mund të kenë vite që janë diplomuar në Akademinë e Arteve”, - thotë Skrami. Ai e quan absurd gjithashtu pretendimin për kategoritë e aktorëve, sipas së cilit në TK ka më shumë nga ata të kategorisë së parë, ndësa teatri ka nevojë edhe për aktorë që të interpretojnë role të dyta e të treta. “Kjo nuk do të thotë se aktorët e kategorisë së parë luajnë vetëm kryerole. Për këtë mund t’ju kujtoj rolin e Bujar Asqeriut, i cili edhe pse nuk ishte i parë tërhoqi vëmendjen e publikut”, - thotë drejtori. Nga sa kuptohet i paqartë është edhe propozimi për kontratat e punës. Nuk dihet nëse aktorët që do të kontraktohen me 3-4 vjet do të jenë pjesë e strukturës 28-she, apo jashtë saj. Në peticionin drejtuar ministrit Pango sindikalistët shprehen të vendour për të zbatuar Kodin e Punës, kontratën kolektive “si shtyllat bazëtë marrëdhënieve ndërinstitucionale”. Përkundër ndryshimeve të propozuara në projektligj, sindikata propozon krijimin e menjëhershëm të Qendrës Kombëtare të Artit Skenik, të parashikuar në ligj, si një organizëm që do të gjallërojë jetën teatrore, do të shfrytëzojë maksimalisht kapacitetet krijuese të brezave të rinj, por mbi të gjitha “të shmangë praktikën abuzive të miratimit të projekteve nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”.
Pas këtij peticioni të nënshkruar nga kryesia e sindikatës së TK (Mirush Kabashi, Vasjan Lami dhe Sokol Angjeli) priten të zhvillohen tryeza bisedimi mes grupit të punës (mësohet se artistët kërkojnë ngritjen e një tjetër grupi pune në përbërjen e së cilit të jenë 10-12 personalitete nga fushat që preken nga ligji “Për artin skenik”) dhe artistëve, për të gjetur gjuhën e përbashkët. Në të kundërt do të përdoren të tjera forma demokratike, për të kundërshtuar projektet dhe draftet e propozuara. Ndërkohë, nga burime të sigurta pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe atij të Kukullave mësohet se këto institucione gjithashtu i kanë dërguar nga një peticion ministrit Pango, bashkangjitur me firmat e artistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›