Peticioni, Kasoruho: S'jemi daullexhinj të Berishës
TIRANE- Amik Kasoruho, një nga 41 firmëtarët e apelit për kryesocialistin për ndërprerjen e grevës, i kundërpërgjigjet publikisht Edi Ramës për akuzat e lëshuara në adresë të tij, se ata janë intelektualët e Berishës. "Keni gabuar, zoti Rama. Keni gabuar sepse, me fjalët që lexova sot në media, keni fyer një grup njerëzish, të cilët ju kanë drejtuar një letër të hapur, dhe me sa di, ky nuk është një gjest i dënueshëm, aq më pak nëse në këtë letër nuk përmbahen mësymje ndaj personit. Dhe, me sa e mbaj mend përmbajtjen e letrës që ju është drejtuar, ajo nuk ishte aspak e tillë. Ishte vetëm dhe thjesht një përpjekje për t'ju kujtuar se qëndrimi që po mbani është, së paku, i gabuar", - thotë Kasoruho në reagimin e tij. Shkrimtari thekson se 41 nënshkruesit e letrës së drejtuar nuk kanë fyer Ramën në asnjë rresht, me asnjë fjalë. "Të gjithë e kanë të qartë se acarimi i gjendjes politike në vend nuk është aspak për të mirën e shqiptarëve. Unë - dua t'ju siguroj - nuk bëj pjesë në grupin e daullexhinjve që përmendni ju, sepse e quaj veten jashtë interesave partiake. Dhe këtë nuk jua them për t'u veçuar nga nënshkruesit e letrës që ju është drejtuar - në asnjë mënyrë, sepse e kam për nder që emri im të renditet midis emrave të tyre - por për t'ju thënë se nuk është e domosdoshme të jesh daullexhi i një haremi politik, që të kesh guxim për ta thënë haptas mendimin tënd. Përkundrazi, mendoj se kjo është një detyrë qytetare. Me kusht që të mos u përngjajë sherreve të ndrikullave", - thekson Kasoruho. Ai i kujton Ramës se merita e një lideri është të dijë t'i mësojë si të jetojnë. "Kam përshtypjen se ju nuk e njihni këtë alternativë, prandaj them keni gabuar. Madje, shumë rëndë. Gabim që, me pak vullnet të mirë dhe me një vizion më të qartë të fenomeneve, mund edhe të ishte shmangur. Dhe do të kishte qenë më mirë për të gjithë. Por në radhë të parë, për ju vetë. Sepse do të mësoni jo vetëm për veten tuaj, por edhe për gjithë të tjerët: të jetoni në bazë të rregullave të demokracisë", - thekson Kasoruho.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)