Gjyqtarët e Shqipërisë: Domosdoshmëri, ligji për Konferencën Kombëtare Gjyqësore
Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë kanë përgatitur një rezolutë të përbashkët drejtuar Presidentit të Republikës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me pamundësinë e zhvillimit të Konferencës Gjyqësore për shkak të shfuqizimit të ligjit. Për këtë arsye, sepse është paracaktuar si datë 27 shkurti, nuk mund të mblidhet Konferenca Gjyqësore për të plotësuar 4 vendet vakante për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e dy ditëve më parë, në një takim konsultativ të kryetarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë, të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, të Shoqatave të Gjyqtarëve (Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve), si dhe në prani të përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, Misioni EURALIUS II, OPDAT dhe OSBE, u konkludua në një rezolutë të përbashkët lidhur me organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Me shfuqizimin nga Gjykata Kushtetuese të ligjit nr. 9399, datë 12.05.2005 "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", gjyqësori shqiptar bëri një hap përpara kushtetueshmërisht në drejtim të pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse në njërin prej institucioneve kushtetuese të rëndësishme të tij, që është Konferenca Gjyqësore Kombëtare (KGJK). Si një nga institucionet e Pushtetit Gjyqësor të parashikuar në Kushtetutë, KGJK merr një rëndësi të veçantë për nga organizimi, funksionimi dhe kompetencat që duhet të ushtrojë. Në respektim të dispozitave të Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 25, datë 26.12.2008, është përcaktuar se KGJK duhet të organizohet dhe funksionojë me një ligj të posaçëm. Një nga kompetencat kryesore të KGJK është zgjedhja e nëntë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ligji nr. 8811, datë 17.05.2001, për KLD, që është në fuqi, parashikon në dispozitat e tij këtë kompetencë të KGJK dhe vendos afate kohore brenda të cilave duhet të plotësohen vendet vakante të krijuara në KLD. Aktualisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndodhet përpara nevojës për të plotësuar katër vende gjyqtarësh anëtarë të tij, ndërsa Konferenca Gjyqësore Kombëtare ndodhet përpara detyrimit për t'i zgjedhur ata, brenda afateve të parashikuara në ligjin për KLD. KGJK gjithashtu ndodhet përpara detyrimit kushtetues që të organizojë dhe të funksionojë në bazë dhe në zbatim të ligjit. Si rezultat i një bashkëpunimi të mirë me Ministrinë e Drejtësisë dhe me gjyqësorin, janë hedhur hapat e parë në rrugën e duhur për hartimin dhe diskutimin e një projektligji për organizimin dhe funksionimin e KGJK. “Kemi besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrën e duhur, në respektim të një procedure diskutimi gjithëpërfshirëse dhe transparente, me qëllim realizimin e një standardi demokratik të kryerjes së procesit të miratimit të këtij ligji. Pa cenuar standardet e procesit dhe cilësinë e ligjit nevojitet realizimi i tij në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur. Realizimi i këtij procesi kërkon bashkëpunim, përkushtim, vullnet të mirë të institucioneve kompetente të të tre pushteteve: gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ. Në lidhje me sa parashtruam më sipër, ju kërkojmë të ushtroni autoritetin dhe kompetencat tuaja, duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë ligjore dhe kushtetuese për hartimin dhe miratimin, brenda një kohe sa më të shpejtë të jetë e mundur, të ligjit për organizimin dhe funksionimin e KGJK-së. Ne ofrojmë të gjithë disponibilitetin dhe përkushtimin tonë për të ndihmuar dhe për të kontribuar në procesin e ligjbërjes”, - përfundon rezoluta e gjyqtarëve të Shqipërisë.