E Diel, 1 Nëntor 2026

Petreas: Plani për Afganistanin, më agresiv se propozimet e ushtarakëve

Komandanti i forcave të Nato-s dhe trupave amerikane në Afganistan David Petreas theksoi se afati që presidenti Obama ka parashtruar për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani është më “agresiv” se propozimi i tij dhe kolegëve të tij ushtarakë, por gjithsesi ky afat mund të përmbushet pa krijuar rreziqe për objektivat amerikane. Gjenerali David Petreas, i propozuar nga zoti Obama për postin e drejtorit të ardhshëm të CIA-s, i bëri komentet gjatë ceremonisë për konfirmimin e kandidaturës së tij në Kongres.

Gjenerali Petreas tha se Presidenti kishte zgjedhur rrugën e një tërheqjeje më të shpejtë se sa ajo që kishin sugjeruar ushtarakët, por shtoi se vendimi ishte në dorë të tij:

“Ky vendim i presidentit Obama është i kuptueshëm duke pasur parasysh rrethana të tjera përtej atyre që shqyrtojnë komandantët ushtarakë. Asnjëherë një komandant ushtarak në histori nuk ka pasur të gjitha forcat që ka dashur të ketë në dispozicion” theksoi Petreas.

Ndërkohë nëse miratohet kandidatura e zotit Petreas si drejtor i CIA-s, ai do të kalojë nga një komandë ushtarakë në një post civil në drejtim të një agjencie zbulimi. Historikisht, Pentagoni dhe agjensitë e zbulimit si CIA kanë bashkëpunuar ngushtë. Por analistët thonë se këto njësi të qeverisë federale kanë stile shumë të ndryshme pune, mentalitete shumë të ndryshme dhe mënyra funksionimi krejt të veçanta.

Nëse konfirmohet kandidatura ePetreas, ai do të zëvendësojë drejtorin e mëparshëm Leon Paneta, i cili u emërua si Sekretar i Mbrojtjes. Edhe gjenerali Petreas, ashtu si Leon Paneta, pritet të marrë një mbështetje të fortë në Senat për kandidaturën e tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›