Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së

Petrit Vasili do të drejtojë për katër vitet që vijnë grupin parlamentarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ai është zgjedhur sot në mbledhjen e drejtuar nga Ilir Meta, që nisi vetëm pak minuta para nisjes së seancës së parë parlamentare, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, transmeton Panorama.
“Në shkojmë në Kuvendin e ri, për herë të parë pas 9 vitesh, duke pasur një grup të konsiderueshëm parlamentar, i cili nuk është një surprizë, është thjesht kompensim i mandateve që kemi humbur padrejtësisht në 2005-2009.”- theksoi Meta ne fjalen e tij.
Kjo është vetëm mbledhja e parë, shtoi ai, për të vijuar më pas me mbledhjet e rregullta dhe javore të këtij grupi parlamentar, në mënyrë që ne të përmbushim programin tonë dhe të respektojmë axhendën e qeverisë së re.
Meta tha se beson shumë në angazhimin dhe përkushtimin e grupit të ri parlamentar. Sa i përket deputetit Spartak Braho, Meta u shpreh se ai do të vazhdojë të shkojë në mbledhjet e grupit të PS-së, ndërsa në mbledhjet e Kryesisë do të jetë me LSI-në.
Kjo sipas Metës, tregon se PS dhe LSI janë dy forca politike dhe një maxhorancë e bashkuar, që funksionon./Indeksonline/