E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini, me lajtmotivin e Enverit: “Mos u ndani nga bunkeri!”

10-08-2011 / Nga Luan Myftiu

Edhe pse kakarísi si anarkist, ambicia e shpuri Ramën te bunkeri enverist. Madje, dhe pse  u tall me bunkerin, lakmia për pushtet të pamerituar, e degdisi në errësírat e bunkerizimeve. Mohoi premtimet prej “liberali”, që e sollën në krye të PS-së. U deklarua europian idealist, u bë ithtar i mbylljes së Shqipërísë. Mos, vallë, kështu i ndryshojnë bindjet, ata që nuk kanë bindje? Kështu kalojnë ata nga civilizími në obskurantizëm? Prandaj, sapo ndiejnë frikë nga transparenca, i sulen bunkerizimit? Apo ndoshta, për gjithë të paaftët, shpëtim është vetëm “bunkeri”. Kurse karrieristi Rama, pikërisht pse u deklarua kundër bunkerit, mbeti peng i tij. Mos, vallë, mori yrnék nga bunkerizími i “qoftëlargut”? Ndaj, edhe pse iu desh të vepronte në të tjera kushte, ishte bunkerizimi i politikës, që e “ndihmoi” të zvarritej në gjithë këto vite. Megjithatë, dështoi  si i pashpresë, njëlloj si “ustai” i tij! Se prapë i humbi të gjitha zgjedhjet. Prapë po i trembet Kongresit të vet. Prapë s’po e lënë këmborët e tij të dëgjojë zilet e Shqipërísë. Po a ka sy të nxjerrë mësíme? A ka ndër mend të heqë dorë nga “rruga e vetme”, bunkerizimi? Apo, për t’iu shmangur dorëheqjes, kërkon ndryshimin e Kushtetutës? Se, çne të imitonte Rama  komunizmin, që si ideologji kriminale, pati nevojë ta bunkerizonte shoqërínë, ndërsa si sistem i padrejtë, nuk mund të ishte i hapur? Pse ta ndiqte Rama si kone komunizmin, i cili doli në emër të vëllazërímit dhe mbolli vetëm përçarje? Se çne t’i “armiqësonte” ai shqiptarët sipas përkatësive partiake, kur vetë klithi “Përtej së majtës e së djathtës!” Nuk mjaftoi komunizmi që shpalli ideal lirínë dhe mbolli frikën, po u desh edhe Rama që deklaroi parímin “një anëtar, një votë”, të mos pranonte të numëroheshin votat e hedhura në kutitë e gabuara? Nuk qe mjaft  diktatura që, si shenjtëruese e poshtërímit të njeriut, i detyroi shqiptarët të mbylleshin brenda vetes, po u desh edhe Rama t’i trembte dhe ithtarët e mendimit ndryshe, sa të struken si struca pa dijitet? Turp për Ramën! Nuk mjaftuan enveristët, që jetonin me ankthin e tmerrit për dënimet e të pafajshmëve, po doli dhe Rama që, duke “braktisur” bashkinë, shkoi të terrorizonte partínë! S’qe mjaft Enver tirani, që nuk u besonte as shokëve, po u shfaq dhe frikacaku Rama të mos mblidhte forumet e partisë! Hajde, s’qe boll belaja e xhelatëve komunistë, që u përpoqën ta mbillnin maninë e persekutimit në popull, po na mbinë dhe Rama me neo-bllokmenët që “transplantuan” ambicien e tyre të shfrenuar tek militantët me thirrjen: “Fajin e ka mazhoranca!” Mirëpo s’ke ç’i bën! Këto janë faktet! Gati të gjithë njerëzit në diktaturë u detyruan të vishnin një “zhguall” për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë. A nuk po i trajton Rama si tradhtarë kuadrot më të devotshëm të PS-së? Ndërkohë që diktatura forcohej me “dajak”, përsërí nuk pushoi së shtuari bunkerët, tunelet dhe armët, etj. Kurse Rama, edhe pse Shqipëría ka hyrë në NATO, “institucionalizon” konfliktin artificial. Mos sheh dhe ai si Enver Hoxha armiq imagjinarë? Se, ndërsa dje të gjithë bisedonin vetëm për motin dhe sportin, sot në PS nuk mund të qeshet e të ngazëllehet njerí, pa qenë në humor kryetari. Ashtu si u bunkerizua vendi në diktaturë, a nuk e betonoi Tiranën Rama? Ashtu si krenohej komunizmi me shtëpitë e pallatet në formë bunkeri, a nuk u krekos Rama me bojatisjen e Tiranës së betonuar? A nuk po e mbrojnë sot “piramidën” neobllokmenët dhe gjithë militantët fanatíkë të PS-së me Ramën në krye? Natyrisht, Rama me neobllokmenët nuk e arrijnë dot komunizmin në bunkerizim. Se, në të tjera kushte veproi ai përbindësh. Prandaj dhe arriti të bunkerizonte dhe mendimet e njerëzve, ndjenjat, krushqitë madje, dhe hallet e dertet e tyre. Dhe jo vetëm kaq. Ai bunkerizoi edhe vizitat për urime, shoqëritë, veshjet, këngët, filmat, artin. Bunkerizoi, madje, deri dhe të qeshurat, vajtimet, ceremonitë e varrimeve, ku nuk mund të ngushëllohej veçse duke kërkuar kthimin e dhimbjes në forcë. Dhe, kështu, dalëngadalë e gjithë Shqipëría u shndërrua në një bunker të madh. Askush nuk mund të dilte në rrugë i mërzitur, pa u përgatitur të “motivonte” fytyrën e vet të vrerosur. Kurse majmunëría kolektive ishte bërë “bunkeri” më i sigurtë. Po dhe Rama me neo-bllokmenët s’i ka lënë gjë mangët komunizmit me bojkotet, grevat, demonstratat, shpifjet, për ta mbyllur Shqipërínë, duke i penguar integrimin. Ndoshta prandaj dhe nuk kanë ndierë ata nevojë të bënin programe dhe platforma. Madje, as të justifikonin statusin e deputetit para votuesve. Prandaj nuk janë bërë pjesë e plotësimit të kushteve për integrimin e vendit. Iu desh një parti e mbyllur, ku të dëgjohej vetëm zëri i një “gjeli”? E krijuan! U duhej rreshti i deputetëve? E arritën! U lypsej shpifja, heshtja ndaj krimeve të komunizmit. U nevojitej mosliberalizimi i vizave dhe prishja e imazhit të mirë të Shqipërísë. S’lanë gur pa lëvizur e kusur pa kryer! Shkurt, Ramës dhe neo-bllokmenëve u është dashur mbyllja e vendit, grabitja e pronave të ligjshme, nihilizmi, krijimi i “krizave” artificiale, akuzat ndaj uzurpimit të institucioneve! Të gjitha i kanë bërë! U janë dashur bojkotet, grevat e urísë, demonstratat, mohimi i çdo humbjeje, akuzimi i kundërshtarit për “kanibalízëm zgjedhor”? Të gjitha i kanë realizuar! Ka qenë dhe jehona e bunkerizimit komunist, që i ka frymëzuar të mos pranonin debate me kundërshtarin. Këta “pronarë” të rinj, pinjoj të Shqipërísë komuniste, ndoshta, endé nuk janë pajtuar me demokracínë. Por për t’u maskuar, deklarohen më europianë se europianët, më demokratë se apostujt e demokracive të konsoliduara. Po a do të vazhdojnë kështu?... Të mos i kenë ndihmuar fare humbjet e njëpasnjëshme?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›