Petroviç: Platforma larg realitetit, e papërputhshme

Platforma e Serbisë është një dokument i papërputhshëm me realitetin dhe i pa harmonizuar me institucionet e Serbisë, ka deklaruar Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq. Ai i bëri këto komente në konferencën me rastin e fundvitit, me ç’rast tha se procesi i decentralizimit është përmbyllur suksesshëm, transmeton RTK.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, e quajti të ashtuquajturën Platformë të Serbisë për Kosovën, dokument që nuk përputhet me realitetin. Petroviq tha se një dokument i tillë, mund të ndryshohet.
“Nuk kam pasur mundësi ta shoh atë dokument dhe ajo që kam parë nëpër gazeta është diçka që nuk është reale dhe jam i sigurt se është diçka që do të ketë mundësi edhe për ndryshime dhe vet fakti që ky dokument që quhet platforma nuk është harmonizuar nëpër institucionet e Republikës së Serbisë, kemi pasur edhe deklaratën e kryeministrit të Serbisë”, tha ai.
Këto komente, Petroviq i bëri në konferencën me rastin e fundvitit. Ai tha se është përmbyllur me sukses procesi i decentralizimit në Kosovë, por nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të themelohen komuna të reja.
“Kjo nuk nënkupton se në të ardhmen e afërt mund të mos themelohen komuna të reja. Por ne duhet të kuptojmë se themelimi i komunave të reja po e humb kuptimin me aplikimin e formave moderne dhe alternative të komunikimit dhe kryerjes së shërbimeve”, u shpreh Petroviq.
Në vitin 2012, MAPL-ja ka realizuar 12 projekte në 7 sektorë ekonomik ndërsa në bashkëpunim me Komisionin Evropian është duke ndërtuar 13 godina administrative. Për të realizuar këtë mandat kjo ministri ka pasur në dispozicion 6. 350.000 euro dhe125 punonjës./Indeksonline/