E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullimi i "Dosjeve", një shans për qeverinë

Britania e Madhe vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për "lustracionin" duhet kuptuar si një shans për të reflektuar mbi atë se cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Këtë qëndrim e bëri publik dje ministri për Policinë, Krimet dhe Sigurinë në Britaninë e Madhe, Vernon Coaker, në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri. "Ne e kuptojmë plotësisht ndjenjën që ekziston në Shqipëri në lidhje me disa nga gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur në të kaluarën", theksoi ai. Disa nga torturat dhe vrasjet që u kryen, vijoi ai, dhe mënyra në të cilën Shqipëria është tani duke u përpjekur për të ecur përpara. "Dhe Kryeministri na shpjegoi se sa e fortë ishte kjo ndjenja në vend. Unë mendoj se ajo që ka të bëjë me qëndrimin tonë dhe qëndrimin që ambasadori është përpjekur të përcjellë është se, ndërkohë që përpiqemi të gjejnë një mënyrë për të trajtuar këto dëme dhe tmerre, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të bërë atë që është në përputhje me Kushtetutën dhe me sundimin e ligjit", nënvizoi zyrtari britanik. Ai kujtoi vendimin e marrë 48 orë më parë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. "Ky vendim i jep qeverisë shqiptare një shans për të reflektuar mbi atë se si është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Dhe si një mik mund të them se ne do të punojmë me ta, në përpjekje për të gjetur rrugën përpara", u shpreh Coaker. Ministri britanik tha se e shikon si pozitive lëvizjen e Shqipërisë drejt integrimit në NATO dhe vendi i tij ishte ndër të parët që ratifikoi protokollin. "Kam pasur takime mjaft të dobishme dhe konstruktive me Presidentin, Kryeministrin, ministrin e Punëve të Brendshme, Prokurorin e Përgjithshëm, ministrin e Drejtësisë dhe drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit shqiptar", tha ai. Coaker siguroi se Britania e Madhe mbështet aspiratat e Shqipërisë për të lëvizur drejt Bashkimit Evropian. "Unë jam i kënaqur të shoh se shumë reforma janë duke u zhvilluar në Shqipëri dhe shpresoj se kështu do të kryhen edhe shumë të tjera përpara se Shqipëria do të jetë në gjendje të bëhet anëtare e BE-së. "Marrëdhëniet mes qeverisë britanike dhe qeverisë shqiptare kanë një element kyç: është partneriteti. Detyra jonë është që të punojmë me qeverinë shqiptare për të inkurajuar procesin e reformës", u shpreh ai. Në vlerësimin e Coaker, pavarësia e policisë dhe e gjyqësorit janë shumë të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Unë, tha ministri, kam qenë i inkurajuar nga fjalët dhe veprimet që kam parë. Drejtuesi britanik nënvizoi se Shqipëria ka bërë përparim të madh, por ekzistojnë edhe sfida. "Natyrisht ka probleme, do të ketë zgjedhje më 28 qershor dhe do të ketë debat të zakonshëm mes partive politike rreth asaj se si ata e shohin të ardhmen dhe kjo do të jetë një çështje e popullit shqiptar për të vendosur mbi atë që ata mendojnë se është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Por, Shqipëria duhet të jetë krenare për përparimin e saj", u shpreh ministri Coaker.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›