Pezullohen 15 policë për sulmin me gurë mbi komisariatin
Tiranë- 15 punonjës të policisë së Tiranës janë pezulluar nga detyra, për sulmin me gurë të ndodhur më 21 korrik në ambientet e komisariatit 5 në Tiranë. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se motivacioni me të cilin ata janë pezulluar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është për mosreagim ndaj sulmit si dhe për dhunë të ushtruar ndaj një të ndaluari. Ngjarja tashmë është duke u hetuar në tërësinë e saj, ku pas grumbullimit të të dhënave do të përcaktohet dhe veprimi ose mosveprimi i çdo efektivi të pezulluar. Mësohet se të gjithë të pezulluarit janë efektivët që kanë qenë të pranishëm në komisariat në momentin e sulmit nga ana e vëllezërve Shkëlqim, Astrit dhe Ilir Halili. Gjithashtu, bëhet e ditur se 15 efektivët do të jenë të pezulluar deri në përfundim të hetimit të të gjithë ngjarjes. Sulmi me gurë ndaj komisariatit ka ndodhur pasditen e 21 korrikut, kur njëri prej vëllezërve Halili është ndaluar nga efektivët e Komisariatit 5, pasi ishte duke prishur murin rrethues të një shkolle. Pasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, ky i fundit ka ngritur pretendimet se është dhunuar nga ana e efektivëve të policisë. Pas marrjes së informacionit, vëllezërit Halili janë drejtuar për në ambientet e komisariatit, godinën e të cilit e kanë qëlluar me gurë. Më pas ata kanë hyrë në ambientet e brendshme dhe kanë goditur shefin e krimeve, Artur Hykën, si dhe dy efektivë policie që ndodheshin aty. Pas këtij sulmi, ata janë izoluar nga ana e efektivëve të tjerë. Pavarësisht reagimit të tyre, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka vendosur pezullimin për 15 punonjësit e policisë, pasi nuk kanë reaguar në kohë për mbrojtjen e komisariatit.