Studimet në Itali, Instituti Italian përcakton qendrat e provimit me shkrim
Jonida Tashi
Instituti Italian i Kulturës në Tiranë përcakton qendrat si dhe oraret përkatëse për zhvillimin e provimit me shkrim, për t’u pajisur me certifikatën “Celi 3 e 5” të njohjes së gjuhës italiane. Sipas datës së vendosur nga Instituti Italian, provimi me shkrim i gjuhës italiane do të zhvillohet në datën 23 nëntor 2009, që përkon me ditën e hënë të javës që vjen. Provimi për certifikatën e gjuhës italiane “Celi 3 e 5”, lëshuar nga Università per Stranieri di Perugia (Universiteti për të Huajt në Perixhia) organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, e cila shërben edhe për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane.
Provimi
Sipas njoftimit zyrtar të Institutit Italian të Kulturës, kandidatët duhet të paraqiten ditën e hënë, në datën 23 nëntor 2009, sipas orarit të parashikuar pranë qendrave të mëposhtme, sipas vendit ku kane kryer pagesën e taksës së regjistrimit. Provimi do të zgjat rreth 4 orë. Po sipas rregullave të vendosura nga Instituti Italian, kandidatët duhet të paraqitin në momentin e hyrjes një dokument identifikimi. Kështu, kandidatët e rritur që duan t’i nënshtrohen provimit të gjuhës italiane për të studiuar në Itali, duhet të paraqesin dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, kartë identiteti ose patentën e re). Ndërsa minorenët, që testohen për provimin e gjuhës italiane për të siguruar një dëshmi për njohjen e saj, duhet të paraqesin dokumentin e identifikimit ende të vlefshëm (pasaportë të firmosur, certifikatë me fotografi);
Rregullat
Në provim kandidatët duhet të përdorin vetëm laps të zi, pasi sipas rregullave të vendosura nga Instituti Italian i Kulturës, është i ndaluar përdorimi i stilolapsit.
Po ashtu, në ambientet e provimit është e ndaluar futja e çfarëdolloj materiali (libra, fletore, fjalorë etj.) si dhe celularë. Për pjesëmarrjen në provimin e gjuhës, çdo maturant duhet të paguajë një faturë prej 55 eurosh si taksë regjistrimi te Instituti Italian i Kulturës dhe certifikimi i gjuhës bëhet nga Universiteti për të Huajt i Peruxhia-s në Itali. Ndërsa kostoja për studentin që do të përsërisë vetëm një provë është 40 euro. Marrja e këtij provimi gjuhe është një provë e vështirë, por që hap dyert për aplikimin për vizë studimesh në Itali. Studentët që dëshirojnë të studiojnë në degë të universiteteve italiane, ku hyrja parashikon një provim tjetër duhet të përballojnë një sprovë të dytë për pranimin në këto degë me numër të mbyllur ose në rast se nuk fitojnë aty mund të tentojnë të kalojnë në fakultete të tjera italiane, ku hyrja është e lirë. Në këtë rast ata duhet të kenë parasysh se çdo universitet italian vendos kuota të përcaktuara për studentët e huaj dhe numri i tyre varet nga vetë universiteti.
18 Nentor 2009