E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Punimet për kampusin universitar do të nisin së shpejti



Punimet për ndërtimin e kampusit të ri universitar për Universitetin e Tiranës do të nisin së shpejti. Ky ka qenë lajmi i mirë që rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka dashur t’u japë studentëve në Ditën e tyre Ndërkombëtare, e cila për herë të parë është festuar edhe në vendin tonë. Dita Ndërkombëtare e Studentëve u festua dje në mjediset e Teatrit Kombëtar në një aktivitet të organizuar nga Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Studentor, me pjesëmarrjen e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, zëvendësministres, Nora Malaj dhe ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri. Gjatë këtij aktiviteti, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule paralajmëroi nisjen e shpejtë të punimeve për kampusin e ri të UT-së. “Dua t’ju siguroj se shumë shpejt universiteti ynë do të ketë kampusin e vetë madhështor”,– theksoi Kule. Duke iu drejtuar studentëve, rektori Kule tha se “jeni pikërisht ju ata të cilët e sillni ndryshimin edhe në auditorë, jeni ju ata që mundësoni transformimin e arsimit të lartë në vend dhe të institucioneve ku studioni. Ne, drejtuesit e institucioneve dhe pedagogët nuk mund të shërbejmë për tjetër gjë veçse të lehtësojmë këtë përpjekje me të gjitha mënyrat”. Për këtë arsye, Kule ka bërë të ditur se Universiteti i Tiranës do të ndërmarrë prej semestrit të ardhshëm një sërë ndryshimesh, ku më i rëndësishmi është zëri i studentëve, në thelbin e universitetit dhe në mësimdhënie.

Buxheti i vitit 2010
Ministra e Punës publikon shifrat për çdo program social

Ministri i Punës, Spiro Ksera, prezantoi dje projektbuxhetin e vitit 2010 në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale. Për vitin 2010, Ministrisë së Punës, i është programuar fondi në vlerën 41.943 miliardë lekë, me një rritje ndaj fondeve të akorduara në vitin 2009, në vlerën prej 2.749 miliard lekë, ose 107 %. Sipas shifrave të Ministrisë së Punës, në vitin 2010, nevojat e 98 mijë familjeve që ndodhen nën nivelin e varfërisë, do të mbulohen nga një fond me vlerë 5.2 miliardë lekë. “Ne parashikojmë se nga rritja e nivelit të fondeve dhe kontrolli më i mirë i skemës, edhe masa mesatare e ndihmës ekonomike gjatë vitit të ardhshëm të rritet në nivelin e 24%”,- ka deklaruar Ksera në komision. Ndërsa nga reformimi i skemës së ndihmës ekonomike do të arrihet që në skemë të përfshihen për herë të parë edhe rreth 1500 familje me probleme sociale, si dhe të rritet mbështetja veçanërisht për familje në varfëri ekstreme. Për vitin 2010, pagesën e papunësisë, sipas parashikimeve të Ministrisë së Punës, do ta përfitojnë mesatarisht 10 100 persona me një fond të përgjithshëm në masën 900 milionë lekë.

Përfituesit nga programet sociale në vitin 2010
Nga Programet e Nxitjes se Punësimit do të punësohen 2600 persona (praktikantë që kanë mbaruar studimet e larta dhe punëkërkues të papunë femra);
Do të trajtohen me pagesë papunësie 10 100 persona në vit;
Nga trajnimi profesional do të përfitojnë 3300 persona;
Do të zgjerohet dhe përmirësohet cilësia e shërbimeve të punësimit;
Do të përfitojnë ndihmë ekonomike rreth 98 126 familje;
Do të përfitojnë 78 431 persona me aftësi të kufizuar e kujdestare si dhe 53 248 invalidë pune;
Do të realizohet rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve me 7% për qytetin dhe 15% për fshatin;
Do të plotësohen nevojat për Statusin e të Verbërve.
Do të plotësohet Statusi i Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›