E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia fiton kupën e festivalit

Një buqetë e bukur vallesh, këngësh folk e ngjyrash kanë veshur skenën e "Aulona Internacional Folk Festival" në natën finale të tij. Grupet më të zgjedhura kanë interpretuar për publikun vlonjat duartrokitjet e të cilit dhe juria kanë shpallur më të mirin prej tyre. Kështu, u vlerësua me kupën e festivalit, ansambli "Zeljezniçar" i Kroacisë, ndërsa me çmimin e parë u nderua grupi i Shkupit të Maqedonisë. Vendi i dytë i ka takuar ansamblit të Tiranës ndërsa me të tretin grupi "Meçovo", i Greqisë. Qendra "Bilbilat e Jugut" ka vlerësuar me çmimin special ansamblin "Burimet e Sharrit", nga Tetova. Në natën finale të Festivalit Ndërkombëtar të Folkut, Aulona, janë ngjitur në skenë artistët e Mecovos dhe vallja çame, grupi nga Ulqini me vallen e traditës e më pas vallja kosovare që ka emocionuar spektatorin, sepse tingujt e dhimbjes janë ndërthurur me lëvizjet burrërore të ngritjes. Më pas, me veshjet ku mbizotëronin e bardha dhe e kuqja, skena është pushtuar nga gjallëria e grupit kroat, ndërsa përshëndetjet nuk kanë munguar nga vëllezërit Paloka të Vaut të Dejës e Mallakastra. Motivet e gëzuara nga valltarët e Shkupit kanë pasuar nga ato tiranase, teksa ka qenë grupi nga Tetova që u ka dhënë fund tingujve të folkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›