E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, përmbytet salla e operacionit të kirurgjisë

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Përmbytet salla e operacionit të kirurgjisë në QSUT nga ujërat e zeza. Shkak janë bërë punimet e një lokali afër repartit të kirurgjisë. Burimet konfirmojnë se si pasojë e përmbytjes ka dalë jashtë funksionit salla e operacionit në spitalin numër 2 në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë. Prej dy ditësh operacionet janë ndërprerë dhe vendi që duhet të ishte një sallë sterile tashmë është shndërruar në një zonë të mbuluar nga ujrat e zeza. Pacientët rrezikojnë shëndetin si pasojë e ndërprerjes së operacioneve dhe përhapjes së ndonjë epidemie në spital. Vetë mjekët dhe infermieret që punojnë në këtë sallë konfirmojnë se uji ka shpërthyer në formë shatërvani që dilte nga dyshemeja e sallës së operacionit. Ujërat e zeza janë shpërndarë nëpër sallë ndërsa mjekët dhe infermieret janë detyruar të ndërpresin punën. Gjatë gjithë ditës së djeshme salla ende nuk ishte mundur të pastrohej dhe sterilizohej e gjitha sepse uji vazhdonte të dilte nga dyshemeja pa ndërprerje. “Mendojmë se krahas motit të keq përmbytja ka ardhur si pasojë e punimeve që janë bërë në një lokal këtu afër sallës së operacioneve kirurgjikale. Aty janë kryer punime dhe menjëherë pas përfundimit të tyre ndodhi edhe incidenti, i cili ka nxjerrë jashtë funksionit sallën e ndërhyrjeve kirurgjikale duke lënë pacientët të presin të sëmurë,” kanë thënë mjekët e repartit të kirurgjisë.
Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›