E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet nga puna mjeku Hoxhallari



Dita e premte është afati përfundimtar për dhënien e vendimit për mjekun, otorino-laringolog, Xhevair Hoxhallari, i cili operoi
17-vjeçaren, Matilda Petriti. Nga rezultatet e dala deri tani, duket se mjeku është fajtor për vdekjen e adoleshentes. Megjithatë, mbetet ende shqyrtimi i 3 raporteve të shërbimit të ORL-së, Urdhrit të Mjekut dhe të mjekësisë ligjore, të cilat do të japin rezultatin e veprimeve të kryera. Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pas mbledhjes së organizuar dje për këtë çështje, sqaroi se pas mbledhjes së zhvilluar të martën, doli në përfundim se masa që do të merret ndaj mjekut Hoxhallari, do të vendoset pas dorëzimit të raportit përfundimtar të shefit të shërbimit të ORL-së, Pjerin Radovani, të Urdhrit të Mjekut dhe raportit të mjekësisë ligjore, i cili nuk ka mbërritur ende në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas QSUT-së, në bazë të statutit, nëse mjeku Hoxhallari fajësohet për vdekjen e 17-vjeçares Petriti, automatikisht pezullohet nga profesioni. Ekspertiza mjeko-ligjore dhe të dhënat e autopsisë dolën në përfundim se vdekja e gjimnazistes nga Maliqi, kishte ardhur si pasojë e shokut hemoragjik që ka zgjatur rreth 16 ditë, shkaktuar nga ndërhyrja kirugjikale për heqjen e bajameve. Matilda Petriti, 17-vjeçarja nga Maliqi, humbi jetën më 23 prill pas operacionit të kryer në klinikën private të Xhevair Hoxhallarit për heqjen e bajameve. Për më shumë së dy javë vajza pati hemorragji, por edhe pas trajtimit në Tiranë nuk u arrit frenimi i saj. Ndërsa familjarët, e kanë akuzuar mjekun Hoxhallari si shkaktar për vdekjen e vajzës së tyre dhe e kanë denoncuar rastin, duke ia lënë autoriteteve përkatëse t’a ndjekin çështjen deri në fund.

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›