E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pheniani shqetëson Kinën

Kina ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me planet e Koresë së Veriut për të lëshuar një raketë-satelit në hapësirë.

Pheniani do ta lëshojë objektin për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së liderit të saj të madh, Kim Il Sung, në muajin prill, kanë bërë të ditur mediat lokale.

Agjencia shtetërore kineze, Xinhua, deklaroi se zëvendësministri i Jashtëm, Zhang Zhijun u takua me ambasadorin e Phenianit, për të shprehur shqetësimin e Pekinit.

Çdo lëshim do të shihet nga Kina si një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Zhang tha se të gjitha palët janë të detyruara të ruajnë paqen në gadishullin korean.

“Ne sinqerisht shpresojmë se palët do të ruajnë qetësinë dhe do të marrin veprimet e duhura për të shmangur përshkallëzimin e tendosjeve, që mund të komplikojnë situatën”, tha Zhang.

Më herët, Shtetet e Bashkuara deklaruan se lëshimi i raketës-satelit do të përbënte një kërcënim për sigurinë rajonale, ndërsa Rusia e cilësoi projektin si “një shqetësim serioz”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›