BE: Garantoni zgjedhjet e lira
Këshilli i parë i stabilizim asocimit mes Bashkimit Evropian dheShqipërisë konkludoi në një deklaratë publike. Në dokumentin e përbashkët, Bashkimi Evropian njeh se Shqipëria ka bërë një lloj progresi, por nënvizon se duhet forcuar shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Bashkimi Evropian bëri thirrje për depolitizimin e administratës publike dhe garantimin e një gjyqësori të pavarur. Në lidhje me zgjedhjet, këshilli përsëriti rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet, duke përfshirë pajisjen me kartat e identitetit për qytetarët pa pasaporta. Në lidhje me liberalizimin e vizave, deklarata e përbashkët thekson se Shqipëria ka bërë progres, por duhen më shumë përpjekje për të përmbushur kriteret e udhërrëfyesit. Në lidhje me këtë çështje, Komisioni Evropian u shpërndau vendeve anëtare një raport paraprak për ecurinë e vendeve të rajonit në plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit të heqjes së regjimit të vizave. BE theksoi dhe rëndësinë për ta forcuar e ruajtur më tej klimën pozitive të dialogut, me qëllim ruajtjen e konsensusit të gjerë që do të mundësonte zhvillimin e mëtejshëm të reformave kyçe, si dhe për implementimin e legjislacionit dhe forcimin e kapaciteteve administrative. BE i bëri thirrje Shqipërisë që të ruajë pavarësinë, transparencën, efikasitetin dhe përgjegjësinë e gjyqësorit, të kompletojë kuadrin ligjor dhe të tejkalojë çdo vështirësi falë adaptimit të strategjisë reformuese për gjyqësorin. Ndërsa bën thirrje për forcimin e luftës kundër korrupsionit, që është prioritet kryesor i Bashkimit Evropian. "Bashkimi Evropian bën të ditur se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe mbetet një problem serioz në Shqipëri. Aranzhimi dhe koordinimi në luftën kundër korrupsionit mbetet i dobët dhe duhet të forcohet", theksojnë anëtaret e 27 vendeve të BE-së. Ndërsa Shqipëria para pak kohësh aplikoi në BE për statusin e kandidatit për një vend në bllokun evropian, dje sipas Brukselit, Shqipëria nuk pritet të marrë anëtarësimin deri në vitin 2015 në rast se nuk plotëson reformat e lartpërmendura. Bashkimi Evropian dhe Shqipëria konkluduan Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit, që konsiderohet si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE.