E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Këto zgjedhjet më të mira në Shqipëri

20/05/2009  Premtim kryeministror

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Pogradeci se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit do të jenë vërtetë të lira dhe brenda standardeve të kërkuara. Për kreun e qeverisë këto zgjedhje përbëjnë është një provë të shkëlqyer të detyrimit ndaj votës së lirë. “Kjo është një provë që ne duhet t’u faktojmë qytetarëve të 28 vendeve anëtare të NATO-s, qytetarëve të 27 vendeve anëtare të BE-së, të cilët, në mirëbesim të plotë, në vlerësim për reformat tona, firmosën mbi Marrëveshjen me Shqipërinë, pranuan Shqipërinë anëtare të NATO-s, pranuan kërkesën për statusin e kandidatit”, ka deklaruar ai. Berisha ka kërkuar që të gjithë qytetarë të pajisen me kartat e reja të identitetit, për të dhënë çdo kontribut që zgjedhjet të jenë më të mirat e më të lirat në historinë e këtij vendi. Kryeministri gjatë kësaj vizite ka inauguruar impiantin e trajtimit të ujërave të përdorura në Pogradec, investim i qeverisë gjermane, nëpërmjet bankës KfW dhe bashkëfinancim të qeverisë shqiptare, me vlerë rreth 10 milionë euro. Nga ana e tij, ambasadori gjerman Berbard Borchard ka deklaruar se bashkëpunimi me qeverinë shqiptare tregon rëndësinë që i kushtohet Shqipërisë si pol të stabilitetit në të gjithë rajonin dhe gjithashtu, dëshirën dhe vullnetin për ta çuar Shqipërinë sa më afër Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›