E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëpohimi i gruas



Në këtë botë, të gjithë vijmë të pajisur plotësisht për të pohuar veten, por rrethanat dhe kulturat e ndryshme na mësojnë ta ndrydhim këtë aftësi të çmuar dhe jetësore. Por peshorja në raportin femër-mashkull, ende sot në shek XXI, rëndon më së shumti drejt anës maskiliste. Çfarë duhet bërë në të vërtetë jo vetëm në teori, por konkretisht, për mbrojtjen e të drejtave të grave? Cili është vetë roli i femrës në këtë hapësirë? A dinë vetë gratë dhe vajzat të mbrojnë të drejtat e tyre? Këto ndryshime cilësore janë të pasqyruara me realizëm dhe janë të prekshme për t’u zbatuar në librin “Vetëpohimi i gruas” të dr. Pamela E. Butler, psikologe e sjelljes dhe mbrojtëse e të drejtave të grave. Violeta Allmuça është autore e shtatë librave. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi në vitin 1991. Shkruan poezi, prozë dhe publicistikë. Proza e saj në katër romane, ku mbizotëron figura e gruas, mbështetet mbi analiza të thella të shoqërisë së sotme universale. Së fundi ajo ka përgatitur për botim librin e psikologes së njohur amerikane Pamela E. Butler, “Vetëpohimi i gruas”. Një libër që të ndryshon jetën. Ky libër, i pari në llojin e tij, në shqip u publikua nga shtëpia botuese “Skanderbeg books”. Libri tërhoqi vëmendjen e lexueseve femra qysh në ditën e parë të botimit.

Çfarë ju shtyu të publikonit këtë libër?

Sikurse dihet, shoqëria njerëzore vazhdon të jetë më shumë maskiliste. Kemi kaluar një shekull që flasim për të drejtat e grave në të gjithë botën. Gjithsesi, arritjet në politikë apo hapësirat intelektuale të femrave kanë qenë pak të dukshme. Edhe në Shqipëri barazia gjinore është shpërfillur, jo vetëm nga pamundësia që gjysma tjetër e shoqërisë nuk di si ti realizojë të drejtat e veta. Zakonisht ata që flasin dhe vendosin për barazinë gjinore janë “pushtete” që përbëhen nga seksi tjetër.

Shumë “psikologë”, “politikanë” dhe “analistë” tek ne, të cilët nuk lënë rast pa

kujtuar se do të ndërmarrin nisma për pjesëmarrjen e gruas në politikë dhe suksese për barazinë, asnjëherë nuk aprovuan një program të hartuar me kompetencë e përgjegjësi që do të motivonin të drejtat e gruas. Shpesh flitet se që të zhvillohet shoqëria njerëzore, duhet civilizuar vetë qenia mashkullore, e cila do të sjellë edhe barazinë gjinore. Personalisht, mendoj të kundërtën. Sensibilizimi i grave për barazi është tejkaluar. Tashmë të gjithë po e kuptojmë se qytetërimi i botës do të vijë nga civilizimi i gruas. Çfarë duhet bërë në të vërtetë jo vetëm në teori, por konkretisht, për mbrojtjen e të drejtave të grave? Cili është vetë roli i femrës në këtë hapësirë? A dinë vetë gratë dhe vajzat të mbrojnë të drejtat e tyre? Këto ndryshime cilësore janë të pasqyruara me realizëm dhe janë të prekshme për t’u zbatuar në librin “Vetëpohimi i gruas” të dr. Pamela E. Butler, psikologe e sjelljes dhe mbrojtëse e të drejtave të grave.

Aspektet e trajtuara në këtë libër që ndryshon jetën e gruas, më shtyu të sillja në

shqip këtë libër, i pari në llojin e vet, i cili u bë lider për ndryshimet femërore.

Shkaqet kryesore ishin problemet e edukimit, sjelljes, dhunës ndaj gruas, trafikimit të qenieve njerëzore, ngacmimeve seksuale, të cilat kanë tronditur opinionin publik shqiptar. Vetëm një grua që arrin të bëhet pohuese i lejon vetes zhvillimin dhe qytetërimin e saj dhe të botës.

Atëherë ç’do të thotë të arrish procesin e vetëpohimit?

Vetëpohimi është një nga mjetet më të fuqishme që ndihmon gratë të parandalojnë gjithçka abuzuese. Marrja e nismës në identifikimin e dëshirave dhe nevojave të ndryshme të njohjes së elementëve të vetëpohimit dhe sjelljes pohuese ka bërë që shumë gra të kenë sukses në jetën e tyre, familje dhe marrëdhëniet personale. Duke marrë përgjegjësinë për jetën e vet, dijen, konceptimin, përgatitjen, ajo ka siguruar mirëqenien e saj. Nuk është e çuditshme që burrat e mbajnë këtë libër me vete. Nevoja për aftësitë pohuese është një çështje njerëzore dhe vetë meshkujt mund të kenë po aq vështirësi si edhe femrat, të cilat gjithashtu e mbajnë në çantë këtë libër. Strategjia e tij të mëson si të jetosh duke njohur aspektet e vetëpohimit. Të thuash “po” kur duhet të thuash “po”, të thuash “jo” kur duhet të thuash “jo”, të vendosësh kufij dhe të marrësh nisma.

Megjithëse vijmë në këtë botë të pajisur plotësisht për të pohuar veten, familjet, shkollat dhe kulturat e ndryshme, na mësojnë ta ndrydhim këtë aftësi të çmuar dhe jetësore. Brezi i grave pohuese janë një mbështetje e veçantë edhe për të ardhmen e familjes dhe shoqërisë. Të pohosh veten s’do të thotë gjithnjë se do të marrim atë që duam. Por vetëpohimi na jep gjithnjë informacion. Na lejon të shqyrtojmë mendimet, bindjet dhe rrethanat në të cilat jetojmë. Duke dëgjuar dhe pohuar veten do të kemi mundësinë të zbulojmë kush jemi në të vërtetë.

A mund të njihemi me aspektet e kësaj përvoje të re?

Treguesi i parë i vetëpohimit është shprehja e ndjenjave pozitive, ku spikasin ndjenjat e përzemërsisë, të vlerësimit dhe të dashurisë. Shfaqja e ndjenjave pozitive ka të bëjë me vetëpohimin dhe është pjesë e rëndësishme e njohjes dhe pranimit të cilësive të vetvetes.

Gratë i shprehin lehtë ndjenjat pozitive, duke i konsideruar këto ndjenja si forcë të sinqertë. Shprehja e këtyre ndjenjave ndihmon të gjitha marrëdhëniet e tyre.

Aspekti i dytë i vetëpohimit është shprehja e ndjenjave negative, që etiketohen edhe si “ndjenjat mbrojtëse”, sepse na japin energjinë e duhur që na lejon të mbrojmë vetveten, kur të tjerët na mërzisin, na ngacmojnë ose janë agresivë. Shumica e femrave i fshehin ndjenjat negative, pasi ndihen keq teksa i pohojnë ato para të tjerëve. Duke i menduar ndjenjat negative si të liga, ato mendojnë se janë të padenja për çdo grua.

Aspekti i tretë i vetëpohimit njihet si vënia e kufijve që nënkupton t’u thuash “jo” kërkesave të cilat janë në kundërshtim me nevojat tona të brendshme. Me vendosjen e kufijve femrat u mësojnë të tjerëve si t’i trajtojnë. Nëse nuk u tregojmë të tjerëve kufijtë, atëherë shkelet kufiri i secilës grua dhe kështu do të vuajë pasojat. Kur një grua është e lirshme të vendosë kufij, ajo do t’i shmangë shumë emocionet negative.

Treguesi i fundit i vetëpohimit është iniciativa, me anë të së cilës një grua shpreh çfarë do ajo që të bëjë. Gruaja ndërmerr ato veprime dhe shprehje që i përshtaten asaj si individ. Askush nuk e pengon një grua të ndjekë shkollën, të njohë njerëz të rinj ose të kërkojë një punë dhe rrogë të mirë. Mirëpo, hezitimi për të marrë vendime të tilla ia zvogëlon probabilitetin për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e saj. Një grua që nuk pohon në çdo aspekt, nuk është në harmoni të plotë me fuqinë e saj si një krijesë njerëzore unike.

Cila është kostoja e mospohimit?

Një grua jopohuese krijon brenda vetes dëshpërimin emocional. Ajo dështon kur duhet t’u thotë “jo” kërkesave të ndryshme. Shumë gra provojnë të njëjtin dëshpërim emocional. Organizmi i njeriut ndien e lëshon sinjale dëshpërimi sa herë ndodhet në rrezik. Gratë, shpesh i shpërfillin sinjalet e brendshme të tyre. Ato mësohen si të ndjekin një varg me “duhet” të realizosh çka duan të tjerët dhe jo atë që ndien. Këto sjellje pasohen nga prindi tek fëmija. Të thotë “jo” për një grua është diçka jo e mirë ose një sjellje e pazakontë.

Po ashtu, tek gruaja jopohuese fillon rënia e fuqive. Shumë gra ndihen të pafuqishme për të ndryshuar, p.sh. për t’u thënë “jo” disa kërkesave absurde të familjes, miqve dhe të afërmve, në marrëdhëniet femër-mashkull, një lidhjeje martesore të paqëndrueshme etj. Gruaja zakonisht lejon burrin ose të tjerët të marrin vendime për të. Sipas dr. Butler-it, rënia e fuqive tek një grua e tillë është pasojë e drejtpërdrejtë e mospohimit.

Përvoja e të qenit i pafuqishëm ose pa përkrahje mund të çojë në një gjendje të vështirë të dëshpërimit emocional ose në depresion. Në kontrast, vetëpohimi është kundërhelmi më i mirë për depresionin.

A ka pengesa në spiralen e vetëpohimit?

Ka disa arsye kryesore pse një grua nuk bëhet pohuese, si nga mungesa e njohurive, ankthit, flet në mëdyshje ose frenon veten nga ato çfarë mendon të thotë, ka vështirësi për të gjetur fjalët e duhura apo ka frikë t’i thotë vetes “po”.

Shumë gra nuk janë të vetëdijshme që janë jopohuese ose që kanë mundësinë për të reaguar ndaj ambientit që i rrethon. Ato mësohen qysh herët në jetë të veprojnë duke u filtruar përmes rregullave “duhet” dhe “nuk duhet”. Këto filtra nuk i lejojnë të krijojnë besim ose të mbështeten tek ndjenjat e tyre. Libri i dr. Pamela E. Butler prek një nga elementet më kritike të veprës, deklarimin e ndjenjave si të çmuara dhe të ligjshme, pavarësisht se ç’mund të mendojnë të tjerët. Hapi i parë për t’u bërë pohues është ndërgjegjësimi për ato situata që nuk i shprehni dot lirshëm ndjenjat dhe mendimet tuaja. Kjo arrihet duke mësuar të shprehni ndjenjat pozitive, ato negative, vendosjen e kufijve dhe marrjen e iniciativës, nëpërmjet analizës pohuese dhe asaj ndikuese. Kjo do të ndihmojë në ndryshimin e sjelljes suaj.

Libri “Vetëpohimi i gruas” ofron këshilla praktike me dialogë realë dhe veprime hap pas hapi që tregojnë se si gratë mund të:

- Mësojnë të komunikojnë qartë dhe me efektshmëri.

- Mbrojnë veten nga sinjalet e lexuara keq në publik.

- Të jenë të mbrojtura edhe nga keqkuptimet në rrethana intime.

- Ruajnë autoritetin profesional pa u bërë agresive.

- Të përballen në mënyrë të përshtatshme me ngacmimet seksuale.

- Të shprehin ndjenjat pozitive dhe negative pa pasur ankth.

- Vendosin kufij dhe të pohojnë lirshëm vetveten.

- Dinë të mbajnë marrëdhënie të dashura.

- Identifikojnë “pikat e errëta të pohimit” të tyre.

Strategjitë e Butler-it mund të zbatohen nga të gjitha gratë në çdo situatë që kërkon një veprim të drejtpërdrejtë, i efektshëm dhe pozitiv. Kritika e mirëfilltë e ka vlerësuar si një udhëzues praktik dhe gjithëpërfshirës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›