Piedestali i krimit në politikë*
Prof. dr. Shinasi Rama
- Në dhjetor të vitit 1990, PD-ja ka pasur një mision historik. Misioni historik i saj, ashtu siç e kam menduar unë atëherë, dhe si e besoj edhe njëlloj edhe tani, ishte që të ofronte një alternativë të balancuar për të shmangur ekstremet e mundshme, me të cilat përballej shoqëria shqiptare në atë kthesë historike. Edhe pse kishte shumë faktorë që ndikonin për keq, nuk duhet t’i mohojmë meritat për arritjet që mund të kenë në pika të caktuara, as PD-së e as Sali Berishës.
Prapë se prapë, ky ishte një shans historik që nuk duhej humbur, por që fatkeqësisht u humb. PD-ja duhej të ishte instrumentale për të arritur transformimin e thellë e rrënjësor të shoqërisë në shtetin shqiptar, nga sistemi parti-shtet, në një shtet-komb modern. Këtë duhej ta bënte duke përdorur me efikasitet dhe pjekuri burimet njerëzore, natyrore e materiale që kishim në atë pikë e që nuk ishin të pakta, por të konsiderueshme. Ekstremet kryesore me të cilat përballej vendi në atë pikë e nga të cilat do të duhej që të ruhej ishin shtatë. Këto ishin lufta civile, shkatërrimi ekonomik, zvetënimi i pjesës së shëndoshë të shoqërisë, rrënimi i strukturës shtetërore, fragmentarizimi shoqëror, varfërimi, polarizimi ekstrem dhe reduktimi i shtetit shqiptar në jofaktor në lidhje me çështjen kombëtare.
Lista natyrisht është shumë më e pasur, mirëpo të gjithë problemet e tjera lidhen me këto procese, burojnë prej tyre, ose janë të lidhura ngushtë me to. E vetmja mënyrë përmes së cilës mund të arriheshin këto objektiva strategjikë ishte që të punohej për ruajtjen e forcimin e shtetit dhe transformimin gradual të ekonomisë e të shoqërisë. Kjo do të arrihej duke punuar me kujdes me popullin dhe me partitë e tjera që dolën nga PPSH-ja. Arsyeja ishte se këto parti, e në radhë të parë, PS-ja, kishin përvojë të madhe në drejtimin e shtetit. Në atë udhëkryq kur duhej të bënte shtet-kombin, udhëheqja e PD-së zgjodhi rrugën me të lehtë duke mos bërë as shtetin, as kombin. Nga një anë ndoqi popullin, nga ana tjetër vendosi të ndiqte modele fantastike dhe eksperimentale politike e ekonomike që nuk ishin vënë në jetë kund. Shteti shqiptar u bë si karroca e Nastradinit. Ja një shembull: Tre Heronjtë e PDsë, siç u shpreh Mëkëmbësi i Sali Berishës, janë Azem Hajdari, Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Ja çfarë bënë këta të tre, të ashtuquajtur heronj të PD-së. Gramozi solli në PD intelektualët e degjeneruar dhe hodhi teorinë e “Çekut të Bardhë” dhe dihet rruga dhe fundi i tij.
Azemi solli në PD rrugaçët e gangsterët, i hyri kontrabandës, vrasjes, dhunimit e krimit dhe dihet edhe fundi i tij. Sali Berisha solli spiunët e veglat e të gjithë regjimeve, i degjeneroi, zvetënoi e përdoroi njerëzit pa mëshirë dhe tani që kanë nisur si minjtë të braktisin anijen, po e sheh qartë fundin e tij. Udhëheqja e PDsë e shfrytëzoi pa mëshirë, pa respekt, pa dhembshuri, dashurinë e madhe të popullit për ndryshim, vullnetin e militantëve për të ndjekur një udhëheqje të dobishme dhe i ktheu në mish për top për Sali Berishën. Sepse në rrugë e sipër, Saliu doli nga fjala dhe nuk ndoqi rrugën e shërbimit kombëtar, por interesin e vet...
Kjo gropa e jonë, ky pus ku jemi kapur në çark e ka emrin tranzicion. Misioni i PD-së duhej të ishte dalja nga tranzicioni. Mirëpo, edhe me ndihmën e pamohueshme të partive të tjera që dolën nga PPSH-ja, PD-ja ka dështuar në mënyrën më të përplotë në arritjen e këtij objektivi strategjik. Në të gjithë fushat ka bërë të kundërtën e asaj që duhej. PD-ja, dhe kur themi PD-ja, tani themi Sali Berisha, është përgjegjëse pikërisht për çuarjen e shtetit shqiptar në ekstremet e mundshme të kriminalizimit, të degjenerimit të shkatërrimit të shtetit, të zhvlerësimit të idesë së kombit, të fragmentarizimit të shoqërisë dhe në shpërdorimin e pashembullt kund të vuajtjeve, mundit e sakrificave të emigrantëve shqiptarë. Të gjitha ato që duheshin shmangur ndodhën.
Një fillim i ri?
Duke luajtur këtë farsën e zgjedhjeve brenda në PD Sali Berisha i dha vetes e mbështetësve të vet të Trustit të Gështenjave kohë të çmueshme me marrë frymë. Në krye të PD-së u zgjodh një njeri pa shtyllë kurrizore, vegla e Familjes, hetuesi i UÇK-së, i akuzuari për vjedhjet masive në Rrugën e Kombit e shumë gjëra të tjera. Ky është një fillim i ri, por jo për shqiptarët. Në fakt, ky është një fillim i ri për familjen Berisha, por jo për militantët e njerëzit që besuan tek ai ideal i fillimit të rrugës së PD-së...Këta kanë parë me sytë e tyre, se si në emër të vjedhjes së shtetit u bënë krime e aleanca që habisin, u kthyen njerëz si qershitë e atij katundarit që shpiku parimin “e lagu-s’e lagu” edhe pse ishin të lagura e të shkelura nga të gjithë palët. Këta e kanë parë dhe e dinë se Sali Berisha, Lul Bash e të gjithë të tjerët.
Misioni i ri?
Tashmë PD-ja është një parti tërësisht e dështuar dhe ka dështuar siç thotë për diçka edhe kryetari i saj i vërtetë “në mënyrë të shkëlqyeshme”. Tani PD-ja ka vetëm një mision, ruajtjen e Sali Berishës dhe të interesave të Trustit të Gështenjave të Tropojës. Mirëpo ky mision johistorik, por i caktuar nga kryetari i saj bie ndesh me interesat e shqiptarëve si komb. Në arritjen e këtij misioni, PD-ja do të bëjë gjithçka mundet për të mbajtur peng opozitën. Misioni i saj tashmë është misioni i një partie oligarkike, thellësisht të kriminalizuar, të sunduar nga tropojanët, në fakt nga më të këqijtë e Tropojës, vegël e Trustit të Gështenjave të Tropojës. Misioni i PD-së është që të përdorojë pa mëshirë shqiptarët për të ruajtur interesat e Trustit dhe të Familjes Berisha, sidomos interesat jetike që do të bëhen shpejt shumë të rrezikuara.
ǒduhet bërë?
PD-ja është një parti e diskredituar, e degjeneruar, e zvetënuar, një bandë politike që ka në krye një bandit politik e kriminel të pashembullt. Kur i afrohesh PDsë të zë lemeria nga ajo që të kalon ndërmend e nga krimet që janë kryer në emër të saj. PD-ja dhe Sali Berisha janë si rojtarët tek Dera e Ferrit shqiptar. Këta e ndërtuan Ferrin dhe tani duan ta ruajnë për veten e tyre. PD-ja është e pariparueshme. Me kohë do të tkurret e do të tkurret deri sa të kthehet si partitë që kanë qenë një kohë të gjatë në pushtet në vendet e tjera. Ajo do të jetë një parti nostalgjikësh, të uriturish, njerëzish që për interesa nuk lanë gjë pa bërë, njerëz që “kanë ngrënë bukën” e Sali Berishës. Prandaj PDja duhet të shmanget dhe të kthehet në një forcë, e cila është më e shumta e anashkaluar dhe pa qenë e zonja që të mbajë peng interesat e popullit.
*Titulli është redaksional
Marrë me shkurtime nga www.shinasi.wordpress.com