Forca e ardhmënisë së merituar
Rëniet dhe ngritjet, dështimet dhe sukseset, rastet e shfrytëzuara dhe më shumë, ato të humbura, pengesat reale politike, ekonomike dhe sociale, por edhe ato që i kemi bërë vetë, në dështimin për t’u ballafaquar me vetveten, përpjekjet për ta ndryshuar skenën politike dhe të tjerat për ta lënë atë në mëshirën e fatit dhe të rrjedhave të kohës, të gjitha këto tipare bëjnë thelbin e përshkrimit të ecjes së Kosovës, por edhe të AAK-së, në dhjetë vjetët që lidhin 2000-shin me 2010-ën.
Kosova u bë shtet në shkurtin e vitit 2008, por në majin e vitit 2010, po kuptojmë që jemi shumë larg të qenit një shtet stabël dhe i qëndrueshëm.
Shteti i Kosovës nuk u bë ashtu siç pritej, një forcë lëvizëse që ndreq atë që ishte prishur në historinë e re të Kosovës, përfshirë këtu edhe vitet e pasluftës.
Me udhëheqësinë e sotme që ka, Republika e Kosovës po bashkëjeton gati me të gjitha problemet që i ka trashëguar ky shtet: Akoma jemi pa integritet territorial, pa kufijtë e kontrolluar në Veri të vendit, pa Rend Kushtetues dhe Ligjor në një të pestën e Kosovës, pa perspektivë të qartë ndërkombëtare, pa një udhërrëfyes për të hyrë në Paktin NATO dhe në BE, pa një plan të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, që do të përmirësonte jetën e çdo qytetari.
Qytetarët e Kosovës, sipas të gjitha analizave dhe statistikave, sot jetojnë më keq se para disa vjetësh. Ata janë sot më të pakënaqur se sa në vitet kur prisnin që Kosova të bëhej shtet.
Shteti i Kosovës ishte synimi dhe shpresa e gjithë një kombi, por edhe e secilit qytetar të tij. Qytetarët kanë besuar që zgjidhja e fatit të Kosovës do të sjellë një fat të ri edhe për ta. Kjo nuk po ndodh.
Ata po humbin besimin në politikë, në të drejtën që të përcaktojnë ardhmëninë përmes kutive të votimit, në demokracinë si sistem politik.
është detyrë e jona ta ndryshojmë këtë gjendje, që zhgënjimin e sotëm të qytetarëve ta tejkalojmë me një mobilizim të të gjithë atyre që kanë dije, kanë guxim, kanë organizim dhe vullnet, për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm, ekonomikisht të zhvilluar, me mirëqenie sociale, me cilësitë e kërkuara për të arritur sa më parë në Bashkimin Europian.
Ne në AAK mendojmë që mund të bëhemi shtyllë e një lëvizjeje të tillë gjithëkosovare. Jemi të bindur që qytetarët e Kosovës do të na besojnë, që do të bashkohemi në synimin për t’i dhënë shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij, ardhmëninë e merituar. Ia vlen. Do ta shohim së bashku. Do ta kthejmë mbarë Kosovën. Do t’i bëjmë punët si duhet.
#