E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vetëpunësuarit paguajnë më shumë

08/01/2009  Gjatë 2009-s parashikohen rreth 56 miliardë lekë të ardhura nga kontributet e sigurimeve

Pagesat e kontributeve deri më 20 janar. Në formular edhe tatimi mbi të ardhurat

Brikena Demiras

Të vetëpunësuarit në bizneset e tyre do të paguajnë më shumë kontribute për sigurimet shoqërore. Afati për bizneset është deri në datën 20 janar për të paguar detyrimet pranë administratës tatimore. Pas rritjes së pagave në korrik të vitit të kaluar, deri në këtë datë duhet të paguhen detyrimet për tremujorin e katërt, tetor- nëntor- dhjetor. Paga minimale për të vetëpunësuarit është rritur me 1 681 lekë, që do të thotë se edhe kontributet e tyre që shkojnë rreth 33.2 për qind do të llogariten mbi këtë pagë, e cila është 14 830 lekë. Pra, tani paguajnë rreth 4 924 lekë në muaj.

Detyrimet

Sipas burimeve zyrtare të administratës tatimore për tatimpaguesit e taksës vendore mbi biznesin e vogël, deri në këtë datë duhet të tërhiqet dhe të dorëzohen formularët dhe listëpagesat për deklarimin dhe pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me anën e këtij deklarimi bëhet edhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për periudhën tetor-nëntor-dhjetor të vitit të kaluar. Ky është afati zyrtar për pagesat e vitit të kaluar, ndërkaq gjatë vitit 2009 parashikohet që të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të arrijnë në 56 191 milionë lekë.

Punonjës reference

Në të njëjtën kohë në shtator të viti të kaluar Qeveria vendosi edhe numrin referues të punonjësve që duhet të sigurohen detyrimisht sipas aktiviteteve. Që do të thotë se edhe nëse ju paguani sigurime shoqërore vetëm për një person, jeni të detyruar të siguroni edhe një tjetër në bazë të xhiros vjetore. “Kur administrata tatimore vëren se numri i të punësuarve, të deklaruar nga tatimpaguesit e regjistruar në biznesin e vogël, për efekt të pagimit të kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nuk është real dhe nuk i përgjigjet vlerës së tregut për shërbimet e punësimit, ajo ka autoritetin të bëjë rivlerësim, sipas llojit të veprimtarive dhe vëllimit të të ardhurave vjetore”, thekson udhëzimi i Ministrisë së Financave. Numri minimal referues i të punësuarve dhe të vetëpunësuarit, për disa veprimtari të subjekteve të biznesit të vogël është ndarë sipas nivelit të të ardhurave bruto vjetore për bazën e taksës, nga 2 milionë lekë deri në 8 milionë lekë.

Reforma

Reforma e re për uljen e normës së kontributeve me 5 për qind të pjesës që paguan punëdhënësi do të hyjë në fuqi në 1 maj 2009 dhe pritet që të ndikojë në formalizimin e tregut të punës. Gjithashtu synohet eliminimi gradual të raportit midis normës së kontributeve që paguan punëdhënësi dhe asaj që paguan punëmarrësi, për të arritur në nivelin e vendeve të tjera. Në buxhet është parashikuar që të ardhurat e kontributeve do të jenë 56 191 milionë lekë, nga të cilat 49 812 milionë lekë kontribute shoqërore, ose 4.7 për qind e PPB-së në vitin 2009, krahasuar me 4.6 për qind në vitin 2008.

Biznesi takim me tatimorët

Biznesi do të diskutojë sot problemet me ligjin për procedurat tatimore. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, takimi do të fokusohet në çështje si zbatimi i ligjit dhe udhëzimit për procedurat tatimore, standardet e kontabilitetit si dhe aplikimi i pasqyrave të reja financiare.

Kontribuesit

Numri i kontribuesve vitin që shkoi ishte 400 000 persona. Këtë vit parashikohet rritje prej 56 400 kontribues të rinj në skemë, si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve në biznesin e madh me rreth 6% dhe numrit të kontribuesve në biznesin e vogël me rreth 45 mijë.

Pagat e referencës

Biznesi ka kërkuar rishikim të disa pagave të referencës që ka vendosur Qeveria. Vitin e kaluar Konfindustria paraqiti një studim për këtë gjë, nisur nga pakënaqësitë dhe ankesat e bizneseve, kryesisht për gjoba të padrejta si shmangie e referencave nga tregu real.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›