Supermashtrimi, kompania e Fazlliçit po sillte 37 mijë kompjuterë me etiketa false
Mbi 37 mijë kompjuterë dhe aksesorë elektronikë, me etiketa false me destinacion Shqipërinë, janë bllokuar në Itali.
Dyshimet e policisë italiane lidheshin me sasinë e madhe të tyre dhe etiketat e firmave të mëdha, kryesisht “Microsoft”.
Por, në Shqipëri, asnjëra nga kompanitë që merret me këtë biznes nuk thotë se ngarkesa është e saj. Mediet italiane thonë se edhe autoritetet shqiptare nuk kanë konfirmuar emrin e kompanisë, për të cilën ishin destinuar kompjuterët dhe aksesorët.
Kjo bën që edhe më shumë hijet e dyshimit të bien mbi qeverinë dhe për një tjetër skandal ku shfaqet emri i sekserit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. Para disa javësh, gazeta “TemA” publikoi një artikull në lidhje me një tender të madh kompjuterësh, në kuadër të një projekti të Ministrisë së Arsimit, financuar nga Banka Botërore, i fituar nga një firmë serbe, me lidhje me Damir Fazlliçin.
Lajmi u publikua nga mediet ndërkombëtare, ndërsa në Shqipëri nuk u tha asnjë gjë në lidhje me të.
Dyshimet se ngarkesa është e kësaj kompanie, për llogari të saj, përforcohen dhe sepse vetë ministri i Arsimit, Fatos Beja, duke folur në TV “Klan” para disa ditësh, tha se kanë nisur të vijnë ngarkesat e kompjuterëve në kuadër të këtij projekti. Beja tha se bëhet fjalë për rreth 70 mijë kompjuterë dhe aksesorë. Vetë Beja nuk ka dhënë asnjë prononcim në lidhje me këtë çështje.
Skandali përforcohet, për shkak se bëhet fjalë për pajisje false kineze, të një cilësie shumë të dobët, të blera lirë, në një kohë kur qeveria dhe personalisht kryeministri, Sali Berisha, ka lidhur një marrëveshje me presidentin e kompanisë “Microsoft”, Bill Gates, për të luftuar piraterinë, dhe ka marrë në këmbim disa favore nga kompania gjigante.
Siç bëjnë me dije mediet italiane, malli është falsifikuar pikërisht nën emrin “Microsoft”.
Fijet e skandalit lidhen në Qipro, aty ku dalin të gjitha bizneset e Damir Fazlliçit, por dhe në Holandë, prej nga marrin jetë shumë biznese që lidhen dhe me emrin e ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha. Kjo e fundit për shkak se firma përfaqësuese në Shqipëri e fituesve të këtij tenderi është ortakja e ComTradeGroup në Holandë.
rinascitabalcanica.com
29.1.2009
Tri ditë më parë, dogana e qytetit të Tarantos ka bllokuar një ngarkesë me mallra elektronike të falsifikuara me destinacion portin e Vlorës. Anija, me flamurin e Panamasë, dhe me destinacion tregtinë, e nisur nga Kina, kishte si synim një sipërmarrje private shqiptare dhe kishte mes të tjerash dhe 37.574 kompjuterë dhe aksesorë të ndryshëm elektronikë me etiketa të falsifikuara.
Autoritetet doganore italiane, në një komunikim zyrtar, kanë informuar portin e Durrësit se është bllokuar një anije tregtare që kishte si destinacion këtë port. Dyshimet e autoriteteve italiane kanë lindur nga sasia e madhe dhe nga etiketat e këtyre produkteve si “Microsoft”, “Pioneer”, “Samsung”, “Epson”, të pasuar nga disa aksesorë si webcam, hard disk, bluetooth etj. Guardia di Finanza ka ndërmarrë kështu një kontroll të detajuar duke zbuluar se ngarkesa ishte e falsifikuar. Autoritetet e portit dhe doganës së Vlorës kanë marrë konfirmimin nga pala italiane, por nuk kanë bërë të ditur se në emër të cilës kompani ishte e destinuar ngarkesa.
tema.al
27.11.2008
Sekseri i qeverisë shqiptare, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, ka arritur të fitojë një tender të rëndësishëm të qeverisë shqiptare. Bëhet fjalë për tenderin për instalimin e kompjuterëve dhe rrjetit në 665 shkolla në vendin tonë dhe që kap një vlerë prej 10 milionë dollarësh. Lajmi është konfirmuar dhe nga mediet e Serbisë. Sipas tyre, një konsorcium serb, “MP Soft Group”, ka marrë këtë tender. Ato theksojnë faktin se kjo kompani me qendër në Beograd ka degët e saj në Pragë të Çekisë dhe në Limasol të Qipros. Pikërisht, dega e kësaj kompanie në Qipro është e Fazlliçit. Ky i fundit ka bërë lobing pranë qeverisë shqiptare për të marrë pikërisht këtë tender prej kohësh. Burime të gazetës “TemA” thonë se një ambasadë perëndimore në Tiranë ka protestuar ndaj vendimit të qeverisë për të favorizuar firmën e Damir Fazlliçit.
E kështu, një tjetër fushë ku Fazlliç e ka parë veten të favorizuar nga qeveria shqiptare është ajo e teknologjisë së komunikimit.
Emri i boshnjakut filloi të qarkullojë së fundi në mediet shqiptare, ndërkohë që në nëntokën e pazareve të familjes kryeministrore ai është protagonist që nga nisja e mandatit për qeverisje të Partisë Demokratike.
Gazeta “TemA” është e para që nisi denoncimin ndaj aferave të tij, me një seri shkrimesh për këtë personazh dhe fijet e tij që shkojnë thellë në aktet më kriminale në rajon, siç është vrasja e kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç.
I quajtur si një shantazhues dhe një mashtrues, ai është përfshirë në shumë afera në të gjitha vendet e rajonit.
Në Shqipëri emri i tij filloi të përflitej shumë pas botimit të disa materialeve për një transfertë milionëshe të tij në drejtim të ortakes së vajzës së kryeministrit, Sali Berisha, nga një firmë e tij pa asnjë aktivitet financiar, madje me borxhe në shtet. Firma kishte për administrator kunatin e ministrit Lulzim Basha, duke mbyllur kështu qarkun e përfolur gjithmonë në media mes Argitës dhe Lulzimit.
Më pas në dritë dolën të tjera afera të tij në fushën e ndërtimeve, energjisë, karburanteve, pasurive të patundshme. Vetë ai e pranoi në një intervistë që është mik i kryeministrit Berisha dhe klient i së bijës. Madje, ai tha që pas arrestimit në Bosnjë në prani të njërit prej kriminelëve dhe sekserëve më të mëdhenj boshnjakë, atë e ka telefonuar kryeministri, Sali Berisha, duke e pyetur për këtë ngjarje.
Me një shkollim gjysmak në shkolla të shtrenjta, i lidhur me fije familjare me famëkeqin e UDB, Stanishiç, Fazlliç ka pranuar se pa bërë asnjë aktivitet në Shqipëri ka arritur të bëjë 50 milionë dollarë brenda një kohe të shkurtër.
km.gov.al
31.01.2007
Dje në mbrëmje, kryeministri, Sali Berisha, dhe presidenti i korporatës “Microsoft”, Bill Gates, nënshkruan në Edinburg marrëveshjen e partneritetit strategjik midis qeverisë së Shqipërisë dhe korporatës “Microsoft” për modernizimin e sektorit publik shqiptar dhe përshpejtimin e zhvillimit teknologjik të vendit. Marrëveshja parashikon mbështetje për projektin e qeverisë e-Schools. Në këtë drejtim, korporata “Microsoft” do të ofrojë 6 mijë paketa programesh kompjuterike “Microsoft” me një çmim simbolik, për kompjuterët, në shumë shkolla të vendit. Pjesë e marrëveshjes është edhe bashkëpunimi midis korporatës “Microsoft” dhe PNUD për ofrimin e internetit në çdo shkollë, si dhe ofrimi i programeve mësimore për nxënësit. Nga ana e saj, qeveria e Shqipërisë merr përsipër të zbatojë të gjitha ligjet për mbrojtjen e pronësisë intelektuale në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në shkëmbim, korporata “Microsoft” do t'i ofrojë administratës shqiptare programe me çmime speciale, më të ulëta se çmimet e tregut. Gjithashtu, në marrëveshje përfshihet vullneti i të dy palëve për të thelluar më tej bashkëpunimin në të ardhmen.