Pikëpamje/Krahinizmat janë ndjenja degjeneruese
Shumë pak deri me sot është shkruar për krahinizmin si fenomen i keq. Krahinizmi është shumë i hershëm, të cilin fenomen në Kosovën e okupuar shumë e kanë shfrytëzuar edhe armiqtë serbosllavë për t’i përçarë shqiptarët pikërisht mbi këto baza. Në ish-Jugosllavi serbët ishin ata të cilët për te mbjellë farën e urrejtjes brendashqiptare dhe për t’i bërë ata sa më të dobët kombëtarisht, i përdorën krahinizmat. Këtë fenomen e futën edhe mbi baza qytet-fshat, gjithnjë duke dëshiruar që ti sundojnë me lehtë shqiptarët. Kjo logjikë e keqe ndasie fatkeqësisht u bartë edhe në ditët e sotme. Pas luftës të gjithë kemi menduar së krahinizmi pak ose fare do të ketë vend në shoqërinë tonë të re. Shumë kemi besuar se të gjitha të mirat nga tradita jonë nuk do të humben. Nga shumë tipare të mira që i kishim , gjithnjë e më shumë kanë mbetur si e kaluar e mirë që ishte. Krahinizmat si diçka e keqe, sapo kalon koha me duket se gjithnjë e më shumë po theksohen. Krahinizmat po theksohen edhe në funksion të jetës dhe të politikës. Është krijuar bindja në opinion se ata që po vijnë në pushtet të gjitha prioritet zhvillimore po i orientojnë në krahinën prej nga vijnë ata, duke i nënvlerësuar viset e tjera të vendit. Kosova ka disa krahina të cilat dallohen midis tyre në të folur, veshje e me ndonjë dallim tjetër. Këto dallime së kush prej nga vjen janë shumë të dëmshme për ardhmërinë e një vendi. Këto dallime krahinizmash mund t’i vëresh në rrugë, lokale, dasma dhe tubime të tjera. Në këso tubime jo rrallë edhe ndodhin fyerje mbi këto baza që janë shumë antinjerëzore. A ka rëndësi se a është dikush prej Llapi e Gollaki? A ka rëndësi se është dikush nga Dukagjini apo nga Drenica e kështu me radhë. Këto ndasi po refelektohen keq në popull me pasoja të dëmshme për shtet dhe për komb. Asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk mund të shitet vesi për virtyt. Diçka që është e keqe mbetet e keqe dhe nuk mund të ketë tjetër emërtim. Ndjenjat lokaliste dhe krahinizmat janë ndjenja degjeneruese, janë ndjenja përjashtuese dhe mund të krijojnë ndasi aq të madhe sikur mos të ishim të një gjaku. Mbi bazat e krahinizimit ka filluar të garohet se kush është më i mençur, se kush është më atdhetar, se kush ka bërë më shumë për kombin historikisht e marifete të tjera që nuk na duhen bash hiç. Madje krahinizmi po reflektohet edhe në gjakmarrje se kush qenka më “trim” se tjetri për të marr hak. Kjo dukuri e krahinizmit ka depërtuar edhe në politikë por edhe në investimet ekonomike. Dallimet krahinore kanë reflektuar negativisht kur bëhet fjalë për pronat, duke tentuar zaptime pronash të pronarëve legjitim etj. Krahinizmat janë lançim artificial që nuk i dihet rrugëtimi pastaj. A ka gjë më keq kur një njëri i politikës rrethohet vetëm më bashkëpunëtoret nga krahina e vet?! A ka me keq së kur dikush konkurron për një vend të punës, dhe pa kriter kualifikues vjen në shprehje të punësohet vetëm se e ka dikënd nga familjarët e tij në ndonjë funksion të lartë shtetëror? Këto veprime janë tejet të dëmshme dhe të pamoralshme. Aversioni karshi atyre të cilët nuk janë nga vendi ku t’i jeton apo vijnë nga ndonjë krahinë tjetër e Kosovës, nuk ka asnjë justifikim. Është turp i turpit që nëse dikush nuk ka lidhje ose nuk e ka dikënd në pushet, ose ka prejardhje nga ndonjë krahinë tjetër bëhet punëtor krahu, ose cigarshitës apo diçka tjetër për të siguruar bukën e gojës. Kjo ndarje në krahinizma nuk i ndihmon funksionimit normal të shtetit. Nuk mund të luftohen në masë të duhur as krimi i organizuar, korrupsioni dhe çdo dukuri tjetër negative. Nuk kemi prosperitet të vendit si të rrjedhave ekonomike ashtu edhe rrjedhave politike. Krahinizmat mund të reflektojnë keq edhe brenda strukturave të shtetit, si në polici, ushtri, shëndetësi, arsim etj. Krahinizmi rrezikon seriozisht rrjedhat demokratike në një vend. Kjo na lënë shumë pas karshi popujve të tjerë në rajon dhe në Evropë. Këto reflektime në baza krahinizmash do të duhej flakur si një logjikë jo civilizuese, logjikë e së kaluarës të cilën na mbolli fara e keqe e serbit. Krahinizmat në shikim të parë duken si plagë të vogla, por në fakt krahinizmi e ka sherrin e madh. Sa më parë që të lirohemi nga ky ves i keq aq më mirë për të gjithë ne, aq më mirë do të jetë për shtetin e ri të Kosovës dhe natyrisht se do të jetë mirë për mbarë kombin. Problemi i krahinizmit nuk mund të zgjidhet parcialisht, por i takon mbarë shoqërisë. Uniteti është shpëtim për çdo komb. Vetëm të bashkuar mund ti përballojmë të gjitha sfidat e kohës të cilat sfida sot nuk janë të vogla për popullin e Kosovës….