Pikëpyetje pas dy deklaratave
Që viti 2010 do të përbënte një periudhë të vështirë për shqiptarët, kjo ishte e qartë nga një shumicë e konsiderueshme e tyre, shpresa e vetme e të cilëve mund të qe liberalizimi në këtë vit i regjimit të vizave për zonën ‘Shengen’, çka ushqente iluzionin se do t’u jepej mundësia për të gjetur punëra në vendet e Europës Perëndimore. Megjithatë, edhe kjo shpresë për disa prej nesh kufizohej nga disa standarde dhe praktika të Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos në muajin e fundit të vitit të kaluar, kur Presidenti i radhës i BE-së, duke uruar shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë për favorin këtej e tutje që të mos rrinë nëpër radha pranë sporteleve konsullore, nuk e përmendi fare fatin që mund të gëzonin së shpejti qytetarët e Shqipërisë fqinje. Por, që të fillohej ky vit me katastrofën e përmbytjes në një hartë gjithnjë e më të gjerë të Veri–Perëndimit të vendit, nuk mund t’i shkonte ndërmend askujt, madje as atyre që e shkaktuan atë, të cilët sefte u tulatën, ndërsa tani kapardisen për kapërcimin e mundësisë së përmbytjes së njerëzve. Sa për atë të mijëra hektarëve tokë bujqësore, bagëtive dhe shtëpive, qeveritarët tanë nuk e prishin gjakun (nga paaftësia, nga papërgjegjshmëria apo nga të dyja së bashku), por sigurojnë banorët e Nënshkodrës se do të kompensohen lek më lek, duke e pasur bosh arkën e shtetit dhe duke u shtrirë dorën kancelarive europiane. Sidoqoftë, përgjigja e këtyre të fundit është që ndihma e tyre do të jepet në materiale dhe jo në para. *** Hoqëm vetëm disa vija të përgjithshme në tablonë aktuale të vendit tonë, sepse jo vetëm që nga media të ndryshme janë bërë përpjekje për ta pasqyruar këtë sa më të plotë, por edhe sepse pikërisht në mes të kësaj zallamahie duket se po përvijohet një qëndrim i ri i opozitës politike, ndryshe nga këta muajt e fundit, përkundër idesë për ta forcuar konsekuencën e vet në luftën politike me delegjitimitetin e maxhorancës parlamentare dhe qeverinë e saj, që kanë gjeneruar disa katastrofa, për t’ua vënë ‘kurorën’ me këtë të fundit. Sigurisht, lideri i kësaj opozite, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ende nuk ka formuluar ndonjë përkufizim të ri, por vazhdon me intervista dhe konferenca shtypi, gjatë të cilave i mëshon faktit që veçanërisht kjo katastrofë e fundit “u krijua jo nga Zoti, por nga robi” dhe që Qeveria të fillojë qysh tani t’u bëjë banorëve të dëmtuar të qarkut të Shkodrës kompensimet e premtuara, jo të tjerrë avazin e rëndomtë të premtimeve të saj. Mirëpo, si zakonisht, edhe tani, sikurse edhe në grupet e organizuara, kurdoherë gjenden ndërmjetës, me specifikat e veta, si bartës të informatave politike. Sigurisht, nuk pretendohet që ata të paraqesin në mënyrë të vetme instancën e fundit, sepse politika është një fushë që kërkon përgatitje të shumëfishtë, jo vetëm përvojë në militim, por veç të tjerash edhe bindje dhe durim. Njëkohësisht, ky erudicion përputhet edhe me praktikën. Pra, ndërmjetës të tillë japin edhe këshilla praktike për punët e përditshme politike në situata konkrete. Pak a shumë, i tillë mund të konsiderohet në këto rrethana edhe një nga anëtarët e Kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili ka qenë dikur edhe kryeministër i vendit (në një moshë të re). Sidoqoftë, kërkesa që bën ai në një deklaratë të publikuar prej shtypit tonë të përditshëm në fillim të kësaj jave, nuk duket shumë e arsyeshme logjikisht dhe ligjërisht. Duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme – proklamoi publikisht ai. Në fillim të katastrofës një zgjidhje të tillë e paralajmëroi edhe Kryeministri aktual, por nuk u ndërmor ndonjë akt juridik normativ për t’u realizuar kjo kërkesë. Përkundrazi, ky i fundit më pas nisi të thotë, se ishte i kënaqur që apelit të tij për evakuim po i përgjigjeshin banorët e gjithë zonave të përmbytura. Përse ndodhi kështu? Këtu ndoshta është e nevojshme të kujtojmë që shpallja e gjendjes së zakonshme bëhet me ligj. Dhe, ç’është më e rëndësishme në planin procedurial, neni 81 i Kushtetutës e kualifikon dhe e parashikon mënyrën e miratimit të këtij ligji me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ashtu sikurse ligjin për shtetësinë, atë për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore, për referendumet, kodet etj. Pra, nëse Kryeministri aktual e merr në konsideratë këtë kushtëzim dhe vërtet dashka që tashmë, që më së fundmi, t’i bindet Ligjit Themelor të shtetit, realisht dhe faktikisht nuk mund të sigurojë në Parlament së paku 84 vota, përderisa asnjë nga 64 deputetët e Partisë Socialiste nuk ka bërë betimin, nuk ka filluar ta ushtrojnë efektivisht mandatin e vet për arsyet që dihen. Atëherë, po të merret parasysh që përmbytja e zonave në qarkun e Shkodrës dhe evakuimi apo sistemimi i banorëve të këtyre zonave do të zgjasë jo më pak se edhe një muaj më tepër, mos vallë zoti Majko e shfrytëzon përmbajtjen e deklaratës së tij si një pretekst që grupi socialist të justifikojë hyrjen e vet në Kuvend? Mos vallë kjo thirrje e Majkos mund të shërbejë si një sebep që kolegët e tij të mos vazhdojnë më tej të përjetojnë vështirësi financiare, duke mos marrë rrogën e deputetit? Ndoshta, në këtë mes mund të ketë ndonjë ide tjetër, megjithatë po ky politikan e përmendi si mundësi përfshirjen në Parlament të grupit socialist edhe në një emision televiziv të para dy – tri ditëve. Gjithashtu, këtë mundësi, por në një tjetër mënyrë jo fort të përcaktuar, e la të nënkuptohej në një deklaratë mjaft evazive, të ribotuar në formën e një interviste te një tjetër e përditshme përsëri në fillim të kësaj jave, edhe një koleg i Majkos, pikërisht Fatmir Xhafaj, i cili e konsideronte dialogun me Partinë Demokratike jo të pamundur. Sipas tij: “Përvoja jo e largët, por tashmë shumë e freskët me respektimin e ligjit konsensual, qasja jo demokratike e maxhorancës aktuale ndaj opozitës së vendit dhe qëndrimet e reagimet jo realiste e serioze të Kryeministrit ndaj mundësisë për dialog e bëjnë këtë të fundit të duket si një gjë e largët, si një opsion jo të prekshëm, por gjithsesi jo të pamundur”. Përse është fjala? Xhafaj e ka të vështirë, ose të papërshtatshme, ta konkretizojë atë, kur shprehet që, pavarësisht nga ajo se cili ka qenë dhe është gjykimi i vet personal për bërjen efektive të mandateve (?), nuk i përket atij të artikulojë individualisht në mënyrë publike rreth momentit dhe shkakut që do ta çojë vendimmarrjen politike të grupit parlamentar socialist të vendosë se, kur dhe përse do t’i bëjë efektive mandatet përkatëse. *** Kështu pra, nuk mund të mos merret vesh që pritet së shpejti një ndryshim aksi në pjesëmarrjen parlamentare të deputetëve socialistë. Por, njëherazi, nuk mund të bëhet e qartë, me zëra të çartur ose të mekur që tonojnë apo stonojnë nga gjuhë të përdredhura në gojë të lagështa, nëse ky ndryshim do të bazohej ose jo mbi një marrëveshje me koalicionin qeverisës, më saktësisht me liderin e këtij koalicioni. Aq më pak të kuptohej formula – tharm e saj. Sidoqoftë, çfarëdo marrëveshje e tillë që mund të inicionte njëra apo tjetra palë, vështirë të besohet se do të përfundonte me sukses. Kjo është një bindje e formuar te shumica e njerëzve përgjatë këtyre 20 vjetëve të Tranzicionit, kur vërehet dhe vërtetohet fare mirë që Sali Berisha, i cili e identifikon veten me nocionet ‘komb’ dhe ‘shtet’ është kështu pandreqësisht injorues i paskrupullt jo vetëm i procedurave ligjore dhe i institucioneve, por edhe i zbatimit ndershmërisht të çdo marrëveshjeje, që e bën të dyshojë se së shpejti do t’i hiqte nga duart pushtetin. Mirëpo, sipas burimeve nga selia rozë mësohet kalimthi që brenda këtij muaji do të zhvillohet një mbledhje e zgjeruar e Asamblesë Kombëtare Socialiste, e cila do të përqendrohet jo vetëm në trajtimin e krizës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, por edhe në trajtimin e një rezolute me vlerësimet, qëndrimet dhe rrugëzgjidhjet e prezumuara, për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të aksionit politik të forcës më të madhe opozitare. Prandaj, kjo ngjarje mund të konsiderohet si një sprovë për të konkurruar kundërshtarët politikë. Por, gjithashtu, në realizimin e suksesshëm të kësaj sprove, ndoshta do të ishte me vend që të zhvillohej një debat politik i hapur në të gjitha strukturat e Partisë dhe në opinionin publik përkrahës, për t’i bindur ato se, fjala është për të iniciuar veprimtari të reja politike, ose te prirja për t’i ndryshuar ato ekzistueset. Sepse, në kushtet e një varfërie të përgjithshme materiale dhe shpirtërore, që shoqërohet vazhdimisht dhe fatkeqësisht prej katastrofash të vërteta humanitare, e domosdoshme është që shumica e njerëzve të frymëzohet moralisht dhe të udhëhiqet me seriozitet politik, që largpamësia për jetën t’i shtyjë t’u kundërvihen me ngul atyre që kanë zaptuar, që disponojnë gjithë pasurinë e vendit tonë për të sunduar me lehtësi të padurueshme.