Pikët e domosdoshme
Ndeshja derbi e xhiros së 25-të e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në Prishtinë, ku do të ballafaqohen rivalët e vjetër të kryeqytetit, Prishtina dhe Flamurtari.
Kjo ndeshje pritet të jetë jashtëzakonisht interesante, pasi të dyja ekipeve u duhet shumë fitorja – Prishtinës në luftën për titull të kampionit, kurse Flamurtarit në betejën e vet për mbijetesë. Andaj, asnjëri ekip nuk guxon të gabojë.
Bardhekaltrit synojnë t’i mposhtin kuqezinjtë dhe t’i fitojnë tri pikë të reja me qëllim që ta përforcojnë pozitën e tyre në vendin e parë të tabelës së klasifikimit, pasi për këtë pozitë po lufton edhe Hysi me vetëm katër pikë më pak.
“Jemi të vetëdijshëm për pozitën e vështirë në të cilën gjendet Flamurtari, por megjithatë ne kemi respekt për këtë skuadër. Ne do të hyjmë në këtë ndeshje, për të mos kalkuluar, por për t’i fituar tri pikë të reja, normalisht duke aplikuar lojë të mirë dhe të pëlqyeshme për publikun”, ka thënë kryetrajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi, në këtë do të mund të llogaritë edhe në shërbimet e Isuf Llumnicës, i cili do të kthehet nga një lëndim dhe në portierin Flamur Neziri, i cili kthehet pas një pezullimi.
Në anën tjetër, fitore do të kërkojë edhe Flamurtari, i cili cilësohet si njëri prej ekipeve më të rrezikuara për t’u larguar nga elita e futbollit kosovar.
“Tashmë skuadra jonë e ka harruar humbjen nga Hysi dhe jemi maksimalisht të përqendruar në takimin e radhës, ndaj Prishtinës. Atmosfera është e mirë në ekipin tonë dhe kemi bërë një punë të kënaqshme. E njohim mirë Prishtinën, e cila ka disa futbollistë cilësorë dhe jo rastësisht është në vendin e parë. Megjithatë, ne hyjmë për ta nxjerrë një rezultat sa më pozitiv në këtë takim”, ka pohuar kryetrajneri i Flamurtarit, Abdyl Bellopoja.
Aktualisht, Flamurtari gjendet në vendin e parafundit të tabelës me 23 pikë të tubuara, dy më shumë se Ferizaj që gjendet në vendin e fundit dhe me tri më pak se Vëllaznimi që gjendet në vendin e dhjetë. Kurse, prishtinasit janë të pozicionuar në vendin e parë me 52 pikë, katër më shumë sesa përcjellësi i parë i tyre, Hysi, i cili në shtëpi të vet do të ballafaqohet me Ballkanin e rrezikuar.
Superliga – xhiroja e 25-të
E diel
Trepça ’89 – Drenica
Hysi – Ballkani
Prishtina - Flamurtari
Besa – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 15:00