E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet Cheung Sai-ho

Ish-qendërsulmuesi i Hong-Kongut, Cheung Sai-ho ka bërë vetëvrasje të shtunën duke u hedhur nga kati i 36-të i banesës së tij në Tin Shui Wai, pas një grindjeje me gruan. Gjatë karrierës së tij si futbollist, të cilën e përfundoi më 2008, ai mbante rekordin për golin më të shpejtë në botë, të cilin e realizoi për 2.8 sekonda. Nga Express më 24 prill 2011 në ora 12:29

Njëri prej futbollistëve më të famshëm nga Hong-Kongu, i cili ishte autor i golit më të shpejtë, ka bërë vetëvrasje duke kërcyer nga kati i 36-të i banesës së tij, pas një grindjeje me gruan e tij.

Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja kineze, South China Morning Post. Cheung Sai-ho (në karrierën e tij si futbollist, luante në rolin e qendërsulmuesit) 35 vjeç, jetonte në Tin Shui Wai, ndërsa në moshën 18 vjeç derisa luante për ekipin e të rinjve të Hong-Kongut në Portsmouth Cup në Angli më 1993, hyri në Librin e Rekordeve Guiness, duke shënuar golin më të shpejtë në botë pas vetëm 2.8 sekondash nga fillimi i takimit.

Rekord më pas i mposhtur nga arabi Nawaf Al Abed më 2009. Lajmi për vdekjen e Cheungut është konfirmuar edhe nga Happy Valley Athletic Association Football Club, klub nga Hong-Kongu, në të cilin Cheung luajti nga viti 1996 deri më 2008, kur edhe përfundoi karrierën.

Sipas raportit të policisë, Cheung është kthyer në banesë rreth orës 4 të mëngjesit të së shtunës dhe ka filluar të grindet me gruan e tij për disa çështje që kishin të bëjnë me lidhjen e tyre.

Rreth orës 6, ai ka kërcyer nga kati i 36-të i banesës së tij. Rrëzimi i fuqishëm ka alarmuar sigurimin e ndërtesës që kanë thirrur policinë dhe ambulancën, por nuk kishin çfarë të bëjnë, Cheung kishte vdekur në vend. Gjatë karrierës së tij, Cheung ka luajtur në divizionin e parë dhe të dytin në Hong-Kong, ndërsa ishte emëruar për futbollistin më të mirë më 2003. Ishte futbollist vendimtar i Kombëtares, ndërsa ndeshjen e tij të fundit për Hong-Kongun e zhvilloi gjatë fitores 8-1 kundër Timorit Lindor më 2007-2008, e vlefshme për kualifikim në Kampionatin botëror 2010 në Afrikën e Jugut.

“Ai kishte vizion të mirë dhe lexonte mirë lojën. Ai do të mund të ishte bërë një trajner i mirë”, tha ish-selektori i Hong-Kongut, Tsang Wai-chung për South China Morning Post, duke shtuar se vdekja e Cheungut “është humbje e madhe për komunitetin e futbollit”. Cheung bëri 56 paraqitje për Hong-Kongun dhe shënoi tetë gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›