“Piketimet e fabrikës nisën nga Delijorgji pa urdhër me shkrim”
16/03/2010 Dëshmia e ushtarakut Tasim Selmani zbulon fakte tronditëse rreth ndërtimit të punishtes
TIRANË- Koha kur kanë filluar piketimet për fabrikën e Gërdecit, mënyra se si është vepruar, pajisja me urdhër ose jo, apo biseda me Delijorgjin, kanë qenë disa nga enigmat e zbuluara dje nga një prej ushtarakëve, thurur me cilësinë e dëshmitarit. Seanca e radhës për 29 të pandehur të akuzuar për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec u zhvillua në të njëjtën ditë me protestat e familjarëve. Tasim Selmani është një prej ushtarakëve që ka pasur në mbikëqyrje repartin e Gërdecit. Ai ka treguar me hollësi çfarë ka ndodhur në të vërtetë, duke deklaruar se “Nga viti 2004-2007 kam qenë komandant i batalionit të raketave në Maminas. Reparti i artilerisë në Gërdec ka pasur lidhje me punën time. Më 24 prill të vitit 2007 dy persona kanë hyrë në fabrikë dhe po piketonin. Ata thanë se kishin marrë urdhër për të bërë disa pika objekti, por unë nuk pranova që të futeshin brenda dhe i ndërpreva punimet e tyre. Kam marrë në telefon eprorin tim, i cili më tha që t’i lejoja të futeshin brenda dhe të vazhdonin me punimet deri ditën e hënë. Kur i pyeta se për çfarë kishin ardhur ata më thanë, se ishin aty për të ngritur një objekt për demontim municionesh dhe që vareshin nga Mihal Delijorgji. Ditën e diel më merr në telefon roja tjetër Agron Braha, i cili më tha se kishin ardhur disa persona që po punonin. Shkova aty dhe takova Mihal Delijorgjin, i cili më tha se kishte një urdhër për 200 metra katrorë për ndërtim. Por unë këtë urdhër nuk e mora dhe nuk e pashë asnjëherë. Komunikova me eprorin në telefon, i cili pas 30 minutash më tha që t’i lejoja të vazhdonin me punimet. Të hënën kur erdha gjeta brenda në fabrikë Delijorgjin dhe punëtorët, të cilët kishin nisur nga punimet. Fola sërish me eprorin, i cili më tha se punimet do të vazhdonin deri në një urdhër të dytë. Por këtë urdhër unë nuk e pashë deri ditën që punova aty. Nuk më ka ardhur asnjë urdhër me shkrim për nisjen e punimeve, kontratë qiraje dhe leje ndërtimi. Çdo gjë që ndodhte gjatë turnit duhet të mbahej shënim në bllok. Verbalisht Delijorgji më tha se kishte urdhër për 200 metër katrorë, por realisht ai mori 500 metër katrorë”.
Krushku i Selmanllarit
TIRANË- Faturat e hyrje-daljeve të municioneve në fabrikë janë dorëzuar me nënshkrimin e firmës amerikane “SAC” dhe “Albademil”. Këtë fakt e pohoi dje në dëshminë e tij ish-magazinieri i “Meico”-s, Serjan Maçi. Është krushku i Rrahman Selmanllarit, por deklaroi se në punë është marrë nga Ylli Pinari. Ai shtoi se dorëzimi i armatimeve bëhej në një mënyrë tejet amatore. Në fakt në Gërdec, sipas magazinierit, nuk kishte një magazinë të mirëfilltë. “Automjetet ushtarake shkarkonin në një fushë të hapur municionet dhe më pas unë si magazinier i “Meico”-s i numëroja ato dhe ja dorëzoja më pas dy përfaqësuesve të firmës që ishin Kastriot Kreci dhe Endri Dvorani”, - tha Maçi. Gjatë pyetjeve të avokatëve tha se, kishte parë dy amerikanë shpesh në fabrikë, ndërsa Rrahman Selmanllarin me të cilin kishte edhe një lidhje krushqie (kunatin e të vëllait), nuk e kishte parë asnjëherë në Gërdec. Maçi tregoi se kishte mësuar rastësisht që po ndërtohej një fabrikë dhe kishte kërkuar punësim. Aty kishte takuar Ylli Pinarin dhe ky i fundit i sugjeroi që të bënte një shkresë me shkrim që kërkonte punë.
Kundërshtimi i akuzës
Dëshmia e ushtarakut nuk ka kaluar pa debate mes palëve. Por, ata që këmbëngulën më fort ishin përfaqësuesit e akuzës, të cilët kërkuan pjesërisht kundërshtimin e thënieve të dëshmitarit. Në ato deklarime, Selmani kishte dhënë dhe emrin e gjeneralit Kastriot Jaupi. “Eprori im, Mehmet Merko më tha që të prisja derisa ai të fliste për këtë problem me gjeneralin Kastriot Jaupi. Pavarësisht se prita nuk më morën në telefon dhe unë i telefonova sërish”. Në atë bisedë ai kishte mësuar se Delijorgji kishte marrë “OK” e ministrit të Mbrojtjes që në atë kohë ishte Fatmir Mediu.
Delijorgji pa urdhër në Gërdec
Paulin Lleshi dhe Agron Braho janë nënoficer të forcave të marinës. Kanë punuar në 2004-ën si roje në Gërdec. Kryenin vetëm ruajtjen e objektit pasi reparti nuk funksiononte. Treguan se gjatë punës një ditë në prill të vitit 2007 në fabrikë ka vajtur një fuoristradë me dy persona. Njëri prej tyre ka zbritur dhe është prezantuar si Mihal Delijorgji. Ka kërkuar të shihte terrenin. Të dy rojet kanë lajmëruar eprorët, të cilët i urdhëruan që ata të futeshin brenda. Delijorgji ka parë zonën dhe më pas është larguar. Gjithçka është shënuar në librin e shërbimeve, i cili është marrë nga akuza si provë.
Shpëtim Spahiu për herë të parë në gjyq
Një nga ish-ushtarakët që mbante një gradë të lartë, Shpëtim Spahiu, u paraqit dje për herë të parë në sallën e gjyqit. Ai është një nga 29 të pandehurit në procesin e Gërdecit. Spahiu vetëm sa u pyet për gjeneralitetet nga trupi gjykues dhe u shpreh se procesi mund të vazhdonte edhe kur ai nuk do të ishte prezent. Spahiu u shfaq në proces, në një moment kur po afrojnë dëshmitë e ushtarakëve, ku pritet të sqarohet edhe pozicioni i Forcave të Armatosura me tragjedinë e Gërdecit. Ndërkohë që rëndësi do t’i kushtohet fillimit të punimeve.