Studimi, analiza e prostatës dëmton shëndetin
Studiuesit amerikanë dhe evropianë thonë se analiza kryesore që përdoret për zbulimin e kancerit të prostatës, mund të shkaktojë më shumë dëm sesa të ndihmojë. Siç njofton korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Julia Ritçi, nga Uashingtoni, studimet e reja kanë rinxitur debatin për mjekimet agresive për kancerin e prostatës.
Për 20 vite me radhë mjekët kanë përdorur analizën specifike të ashtuquajtur testi antigjen për prostatën, të njohur si PSA, për të zbuluar ekzistencën e kancerit në gjëndrën me madhësi të arrës të prostatës në sistemin riprodhues mashkullor. Por, ky test ka nxitur polemika dhe disa mjekë thonë se ai ka çuar në diagnostikimin dhe mjekimin jo siç duhet të kancerit në prostatë, ndër më të shpeshtit tek meshkujt në botën perëndimore.
Në dy studime të kohëve të fundit, të cilat do të publikohen javën e ardhshme në revistën prestigjioze të mjekësisë, të titulluar “New England Journal of Medicine”, studiuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë gjetur se analiza PSA ka shumë pak ose aspak dobi.
Në diskutimet e faqes së internetit të revistës, doktori Filip Kantof nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin Harvard, thotë se kjo analizë mund të shkaktojë probleme në mjekimin e hershëm, në rastet kur sëmundja është duke u zhvilluar me ngadalësi.
“Kur përdoret analiza PSA, mund të diagnostifikohet kanceri në prostatë, por dobitë e diagnostifikimit të kancerit, zakonisht, në fazat e hershme, nuk mund të shihen para 10 deri 15 vitesh. Ndërkohë, dizavantazhet e analizës PSA janë të menjëhershme, nëse pacienti është duke marrë mjekime”, - tha ai.
Sipas doktoreshës Meri Meknaughton-Kollins, studiuese në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit dhe njëkohësisht në Universitetin e Harvardit, Fakulteti i Mjekësisë, mjekimi agresiv mund të shkaktojë efekte anësore tek burrat, si impotencë, mospërmbajtje dhe deri vdekje të parakohshme. Ajo thotë se problemi qëndron në faktin se nuk ekzistojnë analiza mjekësore, të cilat do të mund të dallonin mes tumorit që nuk ka nevojë për mjekim dhe kancerit agresiv që ka nevojë për mjekim.
“Unë mendoj se përgjegjësia bie mbi ne mjekët, për t’u treguar skeptikë në kryerjen e programit të analizave, të ndërtuar mbi bazën e të dhënave jo gjithëpërfshirëse. Ky vendim për analizat duhet marrë duke u nisur nga fakti nëse ne po i ndihmojmë apo më tepër po i lëndojmë pacientët”, - tha ajo.
Profesori Kantof i Universitetit Harvard është dakord me këtë mendim, duke thënë se pjesa e më e madhe e kësaj polemike do të kapërcehej, nëse një numër më i madh mjekësh do ta ndanin procesin e zbulimit të kancerit në prostatë nga ai i mjekimit të sëmundjes. “Kanceri i prostatës, - thotë zoti Kantof, - zhvillohet shumë ngadalë dhe nëse ai trajtohet në mënyrën e duhur, për shumë pacientë ai mund të mos paraqesë rrezik të menjëhershëm”.
Doktoresha Meknaughton-Kollins thotë se mjekët duhet ta pranojnë këtë çështje të debatueshme dhe t’i informojnë gjerësisht pacientët e tyre për përparësitë dhe rreziqet e analizës PSA për zbulimin e kancerit të prostatës.