Ekspertët e gjeologjisë, në Synej, krisen edhe disa banesa të tjera
Një grup specialistësh të Shërbimit Gjeologjik Kombëtar kanë mbërritur në fshatin Bago të komunës Synej në rrethin e Kavajës. Dy ditë më parë në këtë zonë, si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave, u shembën të paktën 7 shtëpi me 45 banorë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme u konstatuan krisje të mureve edhe në disa banesa të tjera. Ekspertët kanë nisur punën në një sipërfaqe prej 3-4 ha e cila rrezikon të rrëshqasë duke shembur dhe shtëpi të tjera banimi që ndodhen aty. Sipas burimeve zyrtare, 45 banorët, tashmë të pastrehë, kanë kaluar natën të strehuar tek të afërmit dhe fqinjët e tyre. Ekspertët konsiderojnë të pabanueshme edhe 5 shtëpi të tjera që rrezikohen nga shembja dhe familjet e tyre janë urdhëruar të evakuohen e të braktisin banesat. Një komision i ngritur nga Këshilli i Qarkut vazhdon punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara mëngjesin e së shtunës pas rrëshqitjes së dherave prej 30-40 metra, në një nga kodrat ku shtrihet fshati Bago, 5 km në perëndim të qytetit të Kavajës. Si pasojë e rrëshqitjes së dherave, ardhur nga tërmeti i disa ditëve më parë dhe reshjeve të dendura të shiut të së premtes dhe të shtunës, shtatë banesa u shembën, duke u gllabëruar në thellësi të dherave. Nga të dhënat e burimeve zyrtare, banesat e dëmtuara janë të anëtarëve të fisit Gjeçi. Strukturat e Ministrisë së Brendshme, emergjencave civile, prefektura dhe këshilli i qarkut si dhe deputetët e zonës kanë qenë gjatë këtyre dy ditëve në vendngjarje për të verifikuar situatën dhe për të ofruar ndihmën e tyre për banorët që humbën banesat e tyre. Lidhur me situatën në komunën Synej të Kavajës, ku dy ditë më parë si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave nga shirat e rrëmbyeshëm u dëmtuan tërësisht 7 shtëpi, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, tha se ajo është një zonë problematike dhe ende ka rrëshqitje dheu. Ai konfirmoi se banorët janë evakuuar dhe dje ka filluar shpërndarja e ndihmave për ta.