Piktori i jetës rome
Një rrugicë përgjatë oborrit të ngushtë me borën e ngjeshur nga njerëz e pula, na shpie drejt shtëpisë së vogël në fshatin Lepinë, rreth 7 kilometra në perëndim të Lipjanit. Drejt një kasolleje të varfër, për të cilën veç tymi i oxhakut të jep të kuptosh se është e banueshme. Ky është vendbanimi i piktorit rom Bajram Mehmeti - një vendbanim tejet larg nga çfarë do duhej të kishte një artist i ri, emri i të cilit tashmë është dëgjuar nëpër disa metropole botërore. E megjithatë, ky është realiteti i tij ndërkohë.
Arti i jetës rome
”Pikturoj në letër me ngjyra temper, ndërsa kur shes ndonjë pikturë kursej para dhe blej pak pëlhurë dhe ngjyra vaji. Sikur të kisha mundësi materiale, imagjinata ime do t’ishte shumë më e hollë, pikturat e mia shumë me origjinale dhe do të mund të hapja edhe ekspozita. Sikur të kishim pak më shumë mundësi, çdo gjë do t´ishte krejt ndryshe”, thotë Bajram Mehmeti, i cili jetën e fshatit në pikturë e pasqyron si këndin më të bukur dhe me të pahall në botë.
“Më së tepërmi më pëlqen të pikturoj jetën rome, që nga shpërngulja e romëve nga India prej nga vijmë, e deri në jetën e sotme të romëve në Kosovë. Pra, kultura, tradita, ritet, puna jonë në ara, ruajtja e bagëtisë, pjekja e bukës në furre guri, çdo gjë që ka të bëjë me jetën rome këtu, por pikturoj edhe portrete, peizazhe, natyrë të vdekur, po ashtu”, thotë piktori Mehmeti, derisa shton se çdo pikturë është një pikë më shumë në burimin e ekzistencës së familjes së tij, krahas punës si punëtor krahu nëpër tokat e bujqve serbë.
Ditën punëtor krahu - natën piktor
Lidhja e ngushtë me jetën rome, me njerëzit, me natyrën, kafshët, shpezët e me çdo gjë që përbën botën e tij të vogël ndjehet në çdo pikturë, ndërsa frymëzimi i pashterur i artit është shembull i mbijetesës së një artisti edhe në mes të skamjes e mjerimit.
”Jemi në gjendje të rëndë ekonomike, pa punë e pa kushte elementare për jetë. Këtu e kemi kuzhinën, këtu dhomën e ndejës, këtu dhomën e fjetjes e për atelie, pëlhurë e ngjyra vaji mos të flasim fare, kur ne mezi sigurojmë letër e ngjyrë. Por, falë Zotit që na dha këtë dhunti dhe pavarësisht kushteve të vështira, nuk dorëzohem. Së bashku me motrën pikturojmë, me shpresën se ndoshta dikush vjen e i blen me aq të holla sa t´na mjaftojnë për të mbijetuar”, rrëfen Bajrami.
Për të, kasollja dydhomëshe, furra në krye të oborrit të ngushtë, zogjtë mbi pemë dhe puna në arë janë motivet më të dashura që e përbëjnë botën e tij.
Rrugëtimi i popullit rom në pikturë
Vargu i pikturave të varura rreth e qark dhomës, me kolona romësh gjatë shpërnguljes, grupe romësh nën tenda gjatë shtegtimit nëpër botë dhe një stallë e përzier me njerëz e bagëti, janë dëshmi e rrugëtimit të vështirë të popullit rom. Por, Bajrami më me dashuri pikturon të tashmen e popullit të tij në Kosovë dhe motive të dashura janë edhe festat, siç është Dita e Vitit të Ri Ortodoks.
“Piktura quhet ‘Vasilica’, në emër të festës, kur në çdo 13 janar prehen patat apo gjeldetët për kremten e 14 janarit. Këtu është nëna që fut patat në ujë të vluar, fëmijët që ua heqin puplat, pak më tej babai tek pi duhan, pas tij qiriu i ndezur në dritare, e matanë xhamit, agimi që zbardh, sepse kjo është koha e ritit kur shpezët bëhen gati për ushqimin e së kremtes”, përshkruan Bajrami njërën ndër pikturat e shumta, për të përfundimin e të cilave i duhen dy ditë deri në dy javë, edhe pse po të kishte porosi do të pikturonte shumëfish më tepër.
Të paktën kështu kishte bërë në vitin 2000, kur shkrimtari Paul Polanski zbuloi se në gjirin e kësaj kasolleje të varfër jetonte një artist i rrallë. Kjo, ngase, sipas Polanskit, te Bajramin fshihet ajo që Picasso e deshi gjithmonë: një piktor i paarsimuar, një piktor i pandikuar, dhe një piktor që pikturon vetëm me instinkt.
Nga lagjja e varfër në metropole
Paul Polanski, shkrimtar, poet dhe fotograf, është autor i 13 librave. Tetë prej tyre u janë kushtuar romëve, në mesin e të cilave edhe “Kosovo Blood” dhe “Not a Refugee”. Pak kohë pas marshimit të trupave të NATO’s në Kosovë, Polanski erdhi me punë vullnetare si këshilltar i UNHCR për problemet e romëve, duke themeluar kështu edhe një fondacion për mbështetjen e këtij komuniteti.
“Paul Polanski atëbotë jetonte në fshatin Preoc”, rrëfen Bajrami.
“Ai na blinte materiale për pikturë dhe kërkonte piktura me motive rome, të cilat i blinte pastaj. Atë vit me motrën kemi pikturuar rreth 100 piktura, të cilat na i ka blerë dhe ekspozuar në Austri, Zvicër, Indi, Gjermani, Turqi por edhe në Kosovë. Dhe mua, krahas përfitimit kjo më sillte edhe gëzim, për faktin se pikturat kanë arritur të dalin në pah që t´i shohin njerëzit”.
Polanskit i përket merita edhe për orientimin e artit të Bajramit kah jeta rome, në poret e së cilës mund të futet vetëm një artist rom. Dhe kështu, pikturat e romit nga Kosova, u shndërruan në thirrje për solidaritet me romët në botë, dhe në një mesazh shprese për një të ardhme më të mirë. Ndërsa Bajrami, krahas vështirësive, po e përmbush premtimin e dhënë mikut të tij:
“Kurrë s’do të pushoj së pikturuari romët e mi, Kosovën time”.