E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piktori pa krahë

Me Besim Lutollin-Becin, për herë të parë u takova diku në vitin 1985, në caffe “GJANI“. Kjo ishte kohë kur në shehrin e Prishtinës, ekzistonin vetëm disa lokale ku mund të mblidhej gjenerata ime, duke u zhvendosur një herë e përgjithmonë nga “Korzoja“ tradicionale në lokale të vogla, me tym duhani, mirëpo me një atmosferë intimiteti, lokale të cilat sot fatkeqësisht do të rrënohen në emër të planit të ri urbanistik, e i cili me hipokrizi nuk llogarit në vete ndërtimet e egra në dekadën e postkonfliktit, ndërtime të cilat përgjithmonë do ta degradojnë e zhveshin deri në palcë infrastrukturën e dikurshme të qytetit.

BECI, fizikisht ishte njeri me flokë të gjata dhe mjekër, e këtë imazh nuk do ta ndryshonte deri në frymën e fundit. Atëbotë ishte i ulur në një tavolinë të rrumbullakët e cila stabilitetin ruante nga një kuti e zbrazët e cigareve e vendosur përfund në bazë. Afër tij ishte ulur regjisori Gëzim Krasniqi, një regjisor shumë i talentuar, i cili fatkeqësisht po ashtu nuk gjendet në mesin tonë më, dhe përveç dy gotave me venë të zezë, aty më ra në sy edhe një kuti e cigareve pa filter, një libër me poezitë e Lotreamonit e një libër me ilustrimet e piktorit të madh Van Gog. Kjo ishte kohë kur sistemi monist degradohej në pafundësi, ndërsa kultura e “Darkerave“, e revolucioni seksual ishte në shpërthim të vazhdueshëm duke zëvendësuar në mënyrë simbolike një ideologji totalitare dhe sistemin “brainwash”.

BECI kishte një natyrë diskrete, i qetë, mirëpo edhe i turpshëm, turp që ia shkaktonte padituria, joprofesionalizmi, papërgjegjësia, e si duket më së shumti i vinte turp nga rutina ditore dhe mediokriteti akademik. Kjo ndjenjë diskrecioni shpesh manifestohej me buzëqeshje të ngrohta, të buta. Ndërsa talenti i tij universal, etika e hekurt, sigurisht ishte shpresë dhe garanci për tejkalimin e pikturës tradicionale në dekadën e parë të postkomunizmit, duke marrë mbi supe rolin që ta luftojë uniformizmin dhe vetëkënaqësinë. Me një talent të shumëfishtë BECI nuk ishte vetëm piktor, mirëpo edhe skenograf, skenarist. Në radhë të parë në projektet e regjisorit Gëzim Krasniqi, duke krijuar përshtypjen e një intelektuali e jo vetëm entuziasti për teatër ose film. Përveç një opusi voluminoz BECI do ta projektonte edhe posterin për shfaqjen time “FAUSTI3”(2001); posterin për shfaqjen time “MOULIN ROUGE “(2003) si dhe atë për shfaqjen “ ANTIDOGMA “(2007).

Stili i BECIT ishte jashtëzakonisht origjinal, i freskët, provokativ. Kush e shikonte një pikturë të tij fitonte dëshirën ta shohë të dytën, kush shikonte një skicë skenografike me padurim kërkonte tjetrën, e kush lexonte një skenar të tij nuk humbiste kohë ta realizonte.

Kur një artist i madh largohet përgjithmonë nga jeta, mbetet një heshtje e madhe dhe e pakufishme. Edhe pse “stoli ” i piktorit mbetet i zbrazët, përjetimi emotiv i audiencës mbetet çuditërisht i lidhur me kornizën e zbrazët.

Në këtë moment humbjeje e pikëllimi do të duhej të flas për pikturat, ekspozitat, skenografitë në kuptimin e gjerë, mirëpo perdja është lëshuar... kështu ne regjisorët themi kur një shfaqje teatrore përfundon.
Vdekja e tij mua më kthen në anën tjetër të portalit ku transformohem vetëm në shikues të zakonshëm. Shpirti i tij do të mbetet përgjithmonë rreth nesh, ky artist nuk do të ketë nevojë për krah!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›