Masakra e Durrësit, arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së trefishtë
Nga hetimet e kryera, policia ndaloi Arjan Çelajn, si të dyshuarin kryesor për vrasjen e ndodhur në një lokal bastesh në qytetin bregdetar, ndërsa është ende në kërkim bashkëpunëtori i tij
Autori i dyshuar për vrasjen e trefishtë të ndodhur në qytetin e Durrësit në mbrëmjen e 27 janarit është arrestuar nga policia. Pas tri ditë kërkimesh, në qytetin e Vlorës u ndalua 35-vjeçari Arjan (Edison) Çelaj. Policia po punon për arrestimin e një tjetër personi, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje të rëndë. Në mbrëmjen e së mërkurës, nga sulmi me armë në një lokal bastesh sportive në lagjen nr. 9 të qytetit bregdetar, mbetën të vdekur Luan Curri, nipi i tij Ani Curri dhe Edmond Shemsi. Ndalimi i 35-vjeçarit u krye si rezultat i një operacioni ku bashkëpunuan policia e Durrësit dhe ajo e Vlorës. Policia nuk ka dhënë detaje në lidhje me shkakun e vrasjes së trefishtë të kryer nga 35-vjeçari, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. I vetmi nga viktimat me precedentë penalë është Luan Curri, ndaj të cilit policia dyshon se ka qenë shënjestra e sulmit me armë. Ai ishte gjykuar për përdhunimin e një minoreneje në vitin 2004, ndërkohë që pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ishte lënë i lirë, pas një periudhe burgosjeje prej tre muajsh. 42-vjeçari kishte edhe një konflikt pronësie si dhe i trembej një hakmarrjeje për një ngjarje të ndodhur para disa vitesh.
Arrestimi
Ndalimi i autorit të dyshuar Arjan Çelaj u krye në qytetin e Vlorës, pas një operacioni të organizuar nga policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Vlorës. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ai u ndalua rreth orës 5:00 të mëngjesit të së shtunës, në banesën e tij. Zëdhënësja e policisë së Durrësit, Ornela Cako, në një konferencë për shtyp deklaroi se i ndaluari Arjan Çelaj “dyshohet se më datë 27.01.2010, rreth orës 22:30, në kohën që shtetasit Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi po qëndronin në lokalin e shtetasit Bexhet Curri, ka hyrë brenda në lokal dukë qëlluar e lënë të vrarë tre personat në fjalë”.
Sipas policisë, autori i dyshuar. pasi ka qëlluar ndaj tri viktimave, është larguar me një motoçikletë tip “Yamaha”. Atë po e priste një tjetër person dhe më pas janë larguar.
Sipas zëdhënëses për shtyp, në bazë të të dhënave operative të grumbulluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, “u bë e mundur të dokumentohet se i ndaluari është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 27.01.2010 ku në lagjen nr. 9 Durrës mbetën të vrarë Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi”. Nga hetimet paraprake dyshohet se ka qenë pikërisht 35-vjeçari që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të viktimave.
Megjithatë, do të jetë përfundimi i ekspertizës kriminalistike të kryer që do të japë një përgjigje përfundimtare në lidhje me këtë ngjarje. Sipas burimeve nga policia, të shoqëruar në komisariat në lidhje me ngjarjen e ndodhur të mërkurën janë edhe pesë persona të tjerë. 35-vjeçari ndodhet në qeli, ku po merret në pyetje nga grupi hetimor.
Autori
Autori i dyshuar i vrasjes së trefishtë është banor në qytetin e Vlorës. Ai është pronar i një lokali në qytetin bregdetar, ndërkohë që njihet edhe me emrin Edison Çelaj. Sipas burimeve nga policia, midis viktimave dhe autorit të dyshuar të ngjarjes nuk ka pasur ndonjë konflikt të mëparshëm. Dyshohet se ai mund të jetë paguar për të kryer vrasjet. Megjithatë, policia do të japë informacione për ngjarjen e rëndë, pasi të kenë përfunduar hetimet dhe të jetë zbardhur ngjarja. Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë së rrethit për kryerjen e veprës penale të “vrasjes së cilësuar në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Ngjarja
Rreth orës 23:00 të së mërkurës, një person është futur në një lokal në katin e parë të një pallati në lagjen numër 9 të qytetit të Durrësit. Ai në kokë kishte një kapuç të zi, ndërsa ishte i armatosur me një automatik tip kallashnikov. Ka drejtuar armën në një tavolinë ku ndodhej Luan Curri, i cili ishte ulur me Edmond Shemsin, duke goditur me breshëri. Plumbat kanë prekur edhe nipin e tij 18-vjeçar, Ani Curri, i cili ndodhej në tavolinën e komjuterave. Për pasojë, të tre kanë marrë plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, duke u rrëzuar në tokë të gjakosur. Më pas, autori i ngjarjes së rëndë është larguar me shpejtësi, ndërsa ka hedhur në tokë armën me të cilën ka kryer krimin. Klientët e tjerë të lokalit, të shokuar, janë përpjekur t’u japin ndihmën e parë viktimave, duke i dërguar në spitalin e qytetit, por plagët e marra dhe humbja e gjakut u kanë shkaktuar që të treve të sulmuarve vdekjen.
.........
Viktimat
Në sulmin e orëve të vona të së mërkurës mbeti i vrarë 18-vjeçari Ani Curri, nxënës në një prej gjimnazeve të qytetit.
Xhaxhai i tij, Luan Curri, 42 vjeç, i dënuar nga dy shkallë të gjyqësorit për përdhunimin e një minoreneje dhe i liruar nga Gjykata e Lartë
Edmond Shemsi, 32 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi, pa precedentë të mëparshëm penalë