Bankat, mungesa e likuiditetit ul kreditimin
Ka kohë që monedha evropiane, e cila operon në rreth 40 për qind të ekonomisë vendase, po qëndron në pozita të fortë përballë lekut. Madje, as prurjet e përvitshme të fundvitit nuk e dobësuan atë, duke e mbajtur në kuotat 137-138 lekë, ndërkohë që në banka ajo ka arritur të këmbehet edhe me 140 lekë. Ekspertët, si një ndër arsyet kryesore të forcimit të euros, argumentojmë mungesën e saj në treg, që ka ardhur edhe si pasojë e uljes së eksporteve, e uljes së remitancave, por nga ana tjetër edhe si pasojë e kalimit të fitimit të disa kompanive pranë vendeve nga vijnë. E gjithë kjo ka sjellë edhe mungesë likuiditeti në bankat e nivelit të dytë, fakt ky që është pranuar edhe nga Banka e Shqipërisë. Kjo mungesë likuiditeti ka sjellë edhe tkurrjen e kredive në valutë. Ekspertët e ekonomisë si një masë për zbutjen e kreditimit, kanë kërkuar nga
Banka e Shqipërisë uljen e normës bazë të interesit. Kjo, sipas tyre, do të ulte koston e kredisë dhe do të shtonte qarkullimin e parasë në ekonomi. Në raportin e saj të fundit për situatën monetare për 3-mujorin e fundit të vitit, Banka e Shqipërisë deklarohet se në prani të rënies së presioneve inflacioniste dhe të pritjeve të stabilizuara për të, sinjalet për ngadalësimin e kërkesës së brendshme në periudhën e ardhshme kanë motivuar rritjen progresive të stimulit monetar gjatë vitit 2009. Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka ulur me një pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 5.25 për qind. Gjithashtu, ka rritur në mënyrë të vazhdueshme injektimin e likuiditetit, në përputhje me nevojat e sistemit bankar për likuiditet dhe kërkesat e ekonomisë për financim. Për injektimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë ka përdorur të gjithë gamën e instrumenteve injektuese të politikës monetare, duke lehtësuar në të njëjtën kohë aksesin dhe koston e operimit të sistemit bankar me Bankën e Shqipërisë. Në prani edhe të nënçmimit të kursit të këmbimit, kjo politikë ka sjellë një lehtësim të kushteve monetare, duke i shërbyer nxitjes së aktivitetit ekonomik. Megjithatë, përcjellja e politikës lehtësuese monetare në normat e interesit të produkteve bankare ka qenë e kufizuar, si pasojë e problemeve të likuiditetit të sistemit bankar dhe e kërkesës së sektorit publik për fonde. Nga ana tjetër, edhe vetë sistemi bankar ka qenë i rezervuar në rritjen e kredidhënies, si pasojë e rrezikut të shtuar në ekonomi dhe ecurisë së cilësisë së portofolit të kredive. Zbutja e këtyre problemeve do të ndihmonte në përcjelljen më të plotë të politikës monetare dhe në rritjen e efektivitetit të saj.
Oferta monetare është ngadalësuar më tej në gjashtëmujorin e dytë, duke reflektuar në një masë të madhe rritjen gjithnjë e më të ulët të kreditimit. Rritja vjetore e portofolit të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 10 për qind në muajin nëntor. Ndryshe nga gjashtë muajt e parë të vitit 2009, ku frenimi i rritjes së kredisë ishte më shumë i ndikuar nga shtrëngimi i ofertës, në pjesën e dytë të vitit është rënia e kërkesës për kredi ajo që po dikton ecurinë e kredisë. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen, përballë kushteve ende të shtrënguara të kredidhënies nga ana e bankave, kanë udhëhequr vendimet e agjentëve ekonomikë për të shtyrë planet e investimeve dhe për të financuar më pak konsumin nëpërmjet huamarrjes. Megjithatë, zhvillimet monetare gjatë gjysmës së dytë të vitit konfirmojnë një përmirësim të situatës së depozitave gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009. Ndryshimi i sjelljes së depozituesve në kuadrin e masave të mara për parandalimin e përhapjes së efekteve të krizës globale, si edhe flukset valutore në formën e remitancave gjatë muajve të verës, kanë ndikuar në stabilizimin e situatës së likuiditetit të sistemit bankar. Tregjet financiare janë karakterizuar nga një situatë më e qetë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Gjatë kësaj periudhe, sistemi bankar ka vazhduar të karakterizohet nga mungesa e likuiditetit; mungesë e cila është plotësuar nga injektimet e likuiditetit të Bankës së Shqipërisë. Përmirësimi i situatës së likuiditetit si rrjedhojë e rritjes së depozitave në sistem dhe forcimi i sigurisë në treg krijuan një mjedis të përshtatshëm për transmetimin e sinjalit të politikës monetare në tregun ndërbankar.