Pilotëve të Farkës u akordohet Kupa e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit ka vlerësuar pilotët e komandës së Helikopterëve të Farkës për angazhimin në operacionet e shpërndarjes së ndihmave gjatë emergjencës së dëborës në veri, duke u dhënë kupën simbol të institucionit që ai drejton.
Në ceremoninë e rastit, Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka falenderuar pilotët për gatishmërinë, disiplinën dhe devocionin që kanë shfaqur për tu shërbyer njerëzve në nevojë gjatë situatës së emergjencës.
Ju keni realizuar operacione që kanë shpëtuar jetë njerëzore, duke rrezikuar madje edhe jetët tuaja.
Kemi ndjekur me ankth dhe kemi qenë pranë jush në operacionet e evakuimit dhe transportimit nga ajri të personave me probleme shëndetësore, të nënave shtatzëna; gjatë shpërndarjes së ushqimeve, ilaçeve dhe furnizimit të banorëve të izoluar nga dëbora
Këto operacione do ishin të pamundura pa ju, heronjtë e heshtur, ndaj asgjë nuk mund të jetë e mjaftueshme për të shprehur falënderimin e shoqërisë për gatishmërinë, disiplinën, dhe devocionin për tu shërbyer njerëzve në nevojë në situatë emergjencash, tha Totozani.
Të pranishëm në ceremoni ishin Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Qemal Gjunkshi, dhe Komandanti i Bazës Ajrore të Farkës, Kolonel Frederik Beltoja. / G.N.