Maqedonia jashtë

Shanset e Shkupit për t’u anëtarësuar në NATO u dogjën thuajse plotësisht dje në mbrëmje, pasi Athina njoftoi vënien e vetos, pas mungesës së një zgjidhjeje për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. “Greqisë i vjen keq, por për momentin nuk mund të lejojë që Maqedonia të marrë ftesën për anëtarësim në NATO”, - tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Giorgos Koumoutsakos, për gazetarët në Bukuresht dje në mbrëmje. Sipas tij, ekziston një shans tepër i vogël për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët në 24 orët e mbetura. “Kur dy vende, njëri anëtar i aleancës dhe tjetri aspirant për anëtarësim, kanë një problem të tillë, vendi anëtar nuk mund të lejojë atë aspirant të arrijë qëllimin e tij”, - shtoi Koumoutsakos. Ai shtoi se NATO-ja nuk është thjesht një grup vendesh të bashkuara në një aleancë politike e ushtarake, por ato ndajnë gjithashtu vlera të përbashkëta. Nëpërmjet kësaj deklarate, Ministria e Jashtme greke tha se Maqedonia ka shkelur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe nuk meriton të bëhet anëtare e Aleancës për momentin. Vendimi i deklaruar dje në mbrëmje në kryeqytetin rumun, pasoi deklaratën e shefes së diplomacisë greke, Dora Bakojanis, sipas së cilës, tashmë nuk ka më kohë për arritjen e një marrëveshjeje të minutës së fundit mes dy vendeve. “E kemi thënë edhe më parë se, nëse nuk ka zgjidhje, nuk ka as ftesë”, - tha ministrja e Jashtme greke, pas takimit me kryeministrin Kostas Karamanlis. Ky i fundit u dërgoi dje letër liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilën u kërkoi që Maqedonia të mos marrë ftesën për anëtarësim, deri në zgjidhjen e problemit të emrit të saj kushtetues. Athina, sipas pohimeve të përfaqësuesve qeveritarë grekë, mbetet në pozicionin që të vendosë veto edhe krahas bindjeve të kundërta të shumicës së aleatëve të NATO-s, para se gjithash të SHBA-ve. Ndërkohë, gjatë dy ditëve të kaluara, kryeministri maqedonas zhvilloi një seri bisedimesh me disa homologë të shteteve anëtare të NATO-s, të cilëve u kërkoi mbështetje për inkuadrimin e Maqedonisë në Aleancë. Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve, INA, delegacioni maqedonas i kryesuar nga presidenti Branko Cervenkovski dhe kryeministri Nikolla Gruevski, sot dhe nesër në Bukuresht do të ketë një seri takimesh bilaterale formale dhe jorformale me pjesëmarrës të Samitit. Me gjithë qëndrimin e ashpër të Greqisë, Gruevski u shpreh dje optimist. “Edhe pse nuk ka shenja pozitive nga Greqia, ne ende shpresojmë të marrim ftesën për në NATO”, - tha ai. Përpara samiti të NATO-s, Shkupi zyrtar deklaroi se vendi dëshiron të anëtarësohet në Aleancë nën emrin Maqedonia, dhe jo FROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), me të cilin u pranua në Kombet e Bashkuara në vitin 1993.