Homazhe për Agim Mekollarin, oficerin që humbi jetën gjatë demontimit
Dje në mesditë është zhvilluar ceremonia mortore në nder të rreshterit, Agim Mekollari, i cili dy ditë më parë humbi jetën aksidentalisht, në Poligonin e Asgjësimit të Municioneve në Pigaz-Skrapar. Në homazhet që u zhvilluan në nder të rreshterit Mekollari, morën pjesë: Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, z. Bamir Topi, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Sandër Lleshi, gjeneralë, drejtues Forcash në FA, drejtorë Drejtorish në ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, oficerë, nënoficerë, ushtarakë, familjarë, miq dhe të afërm të të ndjerit. Trupi i pa jetë i rreshterit Mekollari, i cili qëndroi përreth tre orë në ambientet e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, ku iu bënë edhe homazhet e fundit, u përcoll për në banesën e fundit, pasditen e së premtes, mes dhimbjes dhe lotëve të familjarëve, miqve e shokëve që kishin ardhur për të bërë nderimet e fundit. “Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe të gjithë personelit të Forcave të Armatosura, ju shpreh ngushëllimet më të thella. Njerëz si ushtaraku Agim Mekollari me vetitë dhe virtytet më të shquara të tyre janë gjithmonë një shembull, një pikë referimi, një burim frymëzimi për ne dhe për brezat që vijnë. Të gjithë ne i lutemi Zotit që t’ju japë forcë dhe besim në këto momente të vështira dhe ndajmë me ju dhimbjen për humbjen e jetës të shokut tonë, Agim Mekollari. Me rastin e kësaj humbje të madhe, për familjen Mekollari dhe për Forcat e Armatosura, Ju lutemi pranoni ngushëllimet e mija më të thella dhe të sinqerta”, thuhet në mesazhin ngushëllues që ministri Imami ia dërgon familjarëve të rreshterit Mekollari”, është shprehur ministri i Mbrojtjes Imami, në mesazhin e tij të ngushëllimit dje. Mesditën e së enjtes, shpërthimi i një predhe në repartin e demontimit në Pigas të Skraparit i ka marrë jetën oficerit 56-vjeçar, Agim Mekollari dhe ka plagosur tre punonjës të tjerë. Policia lokale bëri me dije se Mekollarit i plasi predha në dorë, rreth orës 12:50 minuta të ditës së enjte, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Tre punëtorët e demontimit, Jetmir Dedja, Drini Tiko dhe Ilir Kurti u plagosën gjatë shpërthimit. Mes tre të plagosurve, 30-vjeçari Jetmir Demaj ka marrë plagët më të rënda, ndërsa mjekët e Spitalit Ushtarak në Tiranë kanë konfirmuar për MAPO-n se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy të plagosurit e tjerë, Drini Tiko 28 vjeç dhe Ilir Kurti 27 vjeç kanë dalë pasditen e ditës së ngjarjes nga spitali, pasi janë kuruar nga disa plagë të lehta. Viktima e shpërthimit, oficeri Agim Mekollari kishte një eksperiencë të gjatë si ushtarak dhe një ndër specialistët më të mirë në fushën e demontimit të predhave me kalibër të madh. “Ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura nga viti 1982, deri në vitin 1989, si oficer i repartit të xhenios. Prej vitit 2009, ai ka qenë i riaktivizuar. Janë marrë masat për varrimin e të ndjerit dhe përkujdesjes së familjarëve të tij”, - njoftuan zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.