E Diel, 1 Nëntor 2026

Ping pong, shpallen fituesit e veteranëveNë këtë veprimtari morën pjesë 48 veteranë, të cilët u ndanë në 3 kategori moshash: 40-49 vjeç, 50-59 vjeç dhe mbi 60 vjeç

Rrjetet sociale:

Nga data 24-25 tetor, Shoqata e Veteranëve të Ping Pongut në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Ping Pongut organizoi në Korçë aktivitetin mbarëkombëtar me pjesëmarrjen e Prizrenit, Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës, Dibrës së Madhe, Tiranës, Sopotit, Skënderbeut, Flamurtarit dhe Partizanit.

Sipas numrit dy të federatës, në këtë veprimtari morën pjesë 48 veteranë, të cilët u ndanë në 3 kategori moshash: 40-49 vjeç, 50-59 vjeç dhe mbi 60 vjeç. Për moshën 40-49 vjeç fitues u shpall Jonuz Tufa i Studentit, ndërsa i dyti dhe i treti u renditën Feim Rama i Prizrenit e Sotiraq Misha i Skënderbeut.

Fitues për moshën 50-59 vjeç u shpall Xhelal Ibrahimi i Ferizajt, i ndjekur nga Pëllumb Haka i Sopotit dhe Shashivar Velia i Prishtinës. Në kategorinë e fundit në podium u ngjitën Gani Maloku i Ferizaj, Shaip Recica i Prishtinës dhe Agron Fortuzi i Tiranës dhe Ylber Daci i Dibrës së Madhe, të dy këta me pikë të barabarta.

Sekretari Sorra tha se ndeshje të bukura u zhvilluan mes Maqo Stratobërdhës së Skënderbeut e Zymer Sulës të Ferizajt si dhe midis dyshes vendëse, Ilir Selenica dhe Skënder Harunit.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Shqipërisë, Edmont Krifsa, vlen për t’u përmendur mikpritja dhe sponsorizimi i këtij aktiviteti nga dy biznesmenë, njëherësh edhe sportistë-veteranë të Skënderbeut, Skënder Haruni dhe Jani Stratobërdha.

Olgert Serani ( Gazeta Panorama Sport)


Numri i klikimeve - 6604
  E Hene, 26 Tetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›