Pingpong përgjegjësish për Fazliçin

TIRANË - Orari i vërtetë i nisjes së Damir Fazliçit nga aeroporti i Rinasit përplas ashpër Ministrinë e Brendshme me Prokurorinë e Përgjithshme. Të dyja palët që ditën e djeshme kanë kundërshtuar keqas njëra-tjetrën nëpërmjet njoftimeve të bëra publike, pretendojnë dy variante të ndryshme në lidhje me ikjen e serbo-boshnjakut, i cili dyshohet të ketë kryer veprimtari të paligjshme në shtetin shqiptar. Pas nisjes së hetimeve ndaj tij nga ana e njësisë së “Task-Force” për aktivitete të paligjshme, ministria dhe prokuroria kanë nisur hapur “luftën mes tyre”. Vetëm ditën e djeshme, dy reagime të ashpra janë bërë publikisht nëpërmjet zëdhënësve të këtyre institucioneve. Ka qenë Ministria e Brendshme, e cila rreth orëve të mesditës ka deklaruar se do të niste procedimin penal ndaj zëvendësprokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Elio Mazrekut dhe prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Zamir Shtyllës, me pretendimin se këta përfaqësues të akuzës kanë shkelur ligjet e Kushtetutës dhe ligjet për shtetasit e huaj. Ndërsa vetëm disa orë më pas, organi qendror i akuzës ka dhënë faktet se Fazliçi është larguar me vetëdijen e policisë një orë përpara orës zyrtare të nisjes që ishte planifikuar. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, bëhet e ditur se këta të fundit ishin vënë në dijeni se ora 16:30 shënonte nisjen zyrtare, por ora e vërtetë e nisjes së biznesmenit boshnjak ka qenë 15:30. Nëpërmjet një reagimi, zëdhënësja e këtij institucioni, Holta Zhiti, ka bërë më dije pikat më kryesore të pamundësisë së institucionit në lidhje me pengimin e marrjes në pyetje të Fazliçit.
Varianti i Ministrisë së BrendshmeNëpërmjet një deklarate publike, zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, ka bërë të ditur se ministria do të nisë ndjekjen penale për dy prokurorë, të cilët nëpërmjet telefonatave kanë urdhëruar kreun e Komisariatit të Rinasit për ndalimin e udhëtimit të Damir Fazliçit. Burime të besueshme bënë të ditur për “Korrierin” se bëhet fjalë për zëvendësprokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Elio Mazrekun dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Zamir Shtylla. Sipas deklaratës së ministrisë, thuhet se “dy prokurorët kanë kryer shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, duke telefonuar në orën 15:17 shefin e Komisariatit të Rinasit, e më pas edhe drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit të Qarkut Tiranë, duke kërkuar ndalimin e udhëtimit dhe shoqërimin në ambientet e policisë të biznesmenit me shtetësi britanike dhe boshnjake, Damir Fazliç, në një kohë kur ai ishte larguar nga Shqipëria në orën 15:04. Gjithashtu ka nisur një hetim i plotë për të vendosur para përgjegjësisë ata që mendojnë se mund të ndalojnë me telefon qytetarët e huaj në këtë vend.
Varianti i prokurorisëFakte krejt të tjera i janë vënë në dispozicion publikut nga organi qendror i akuzës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, është bërë e ditur se rreth orës 12:30 të asaj dite që Damir Fazliç erdhi në kryeqytet, Prokuroria e Tiranës është vënë në dijeni se boshnjaku ndodhej në Tiranë, duke dhënë intervistë për një media. Pas analizimit të të dhënave, prokurorët e çështjes kanë vendosur thirrjen e boshnjakut në prokurori për të sqaruar pozicionin e tij në lidhje me kompanitë e biznesit në Shqipëri. Ndërkohë që ishte regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil, se udhëtimi për t’u larguar nga Shqipëria do të kryhej në orën 16:30, prokuroria depozitoi dhe protokolloi në komisariatin e Policisë Rinas në orën 15 e 6 minuta nëpërmjet oficerëve të Policisë Gjyqësore ftesën për paraqitje për z. Damir Fazliç. Në këtë ftesë mësohet të jenë bërë të ditura edhe shkaqet e ftesës. Ndërsa në lidhje me faktin e komunikimit me telefona, prokuroria ka sqaruar se oficeri i policisë nuk kishte mundur të kontaktonte me shefin e Komisariatit të Policisë së Rinasit për t’i komunikuar ftesën, dhe për këtë shkak është përdorur telefoni. Dhe me gjithë përpjekjet e oficerëve dhe prokurorëve për t’i komunikuar ftesën për paraqitje Fazliçit, kjo nuk u bë e mundur për shkak se ai u largua nga aeroporti një orë përpara sesa ishte planifikuar largimi i tij. Prokuroria po heton zbatimin e procedurave ligjore të policisë në shoqërimin e Fazliçit.