Vetëm pushka e lan
LIBRAZHD - Pas një sherri për tokën, Astrit Bisku, 38 vjeç, banues në fshatin Pishkash të Librazhdit, ndodhet në reanimacionin e spitalit të qytetit, në gjendje të rëndë për jetën. Mësohet se Besnik Bisku, 24 vjeç dhe Lulëzim Bisku, 18 vjeç, ky i fundit gjimnazist në shkollën e mesme të Përrenjasit, qëlluan me shishe dhe hekur për një copë gardh Astrit Biskun, me të cilin janë në konflikt prej disa vitesh. Sipas njërit prej vëllezërve të të plagosurit, Astrit Bisku, ka mbetur vetëm të merret hak për këtë ngjarje. “Prej vitesh jemi rrahur dhe keqtrajtuar barbarisht nga këta djem. Komuna e Qukësit dhe inspektori i policisë së zonës, Sejdin Hoxha, i ka përkrahur dhe mbrojtur disa herë, madje edhe pasi janë marrë deklaratat tona”, thotë ai. Para katër vjetësh është rrahur barbarisht motra e Astritit, e cila është paraqitur me fraktura në spitalin e Librazhdit, po ashtu të shtatë pjesëtarët e tjerë të familjes. Rasti më i fundit është ai i Astritit, ku sipas mjekut ligjor, Liman Menalla, është konfirmuar dhuna e paparë ndaj tij. Blutë e Komisariatit të Librazhdit kanë ndaluar njërin nga vëllezërit dhunues, Lulëzim Biskun, nxënës në vitin e katër të shkollës së mesme, por nuk kanë ndaluar ende vëllanë më të madh të tij, i cili mendohet të jetë strehuar në fshat, ku sipas familjes së dëmtuar, thuhet se ka lidhje me persona të policisë dhe komunës, ndaj nuk arrestohet. Materialet përkatëse i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, por familja Bisku deklaron se, nëse organet e drejtësisë nuk zbardhin ngjarjen dhe nuk marrin masa për arrestimin e autorëve, do të bëjnë vetëgjyqësi. “Nuk mund t’i mbajmë më mbi supe, kemi sherre dhe konflikte për një rrip toke që prej 18 vjetësh. Do të detyrohemi të marrim pushkën”, thonë ata. Astrit Bisku është plagosur dy ditë më parë, gjatë rrugës që po bënte për në shtëpi. Dy vëllezërit Bisku i kanë zënë fqinjit pusi dhe e kanë gjuajtur me mjete të forta në kokë e trup. E ëma e Astritit ka dëgjuar britmat e të birit dhe ka vrapuar, duke gjetur të gjakosur përtokë të birin. Kirurgu i spitalit të Librazhdit, Rexhep Baholli, pasi i pastroi xhamat nga koka, tha se gjendja e të 38-vjeçarit ishte e rëndë.