E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ethet e kromit" ndotin ujin e pijshëm në Bulqizë

Persona fizikë dhe juridikë,
të përfshirë në ethet e
nxjerrjes së mineralit të
kromit kanë dëmtuar
ujësjellësin e qytetit. Kështu,
vetëm pak ditë më parë, nga
puna e jashtëligjshme për nxjerrjen
e kromit, u dëmtua nga
shembja e gurëve tubacioni i
ujësjellësit, duke u shkatërruar
plotësisht, në një gjatësi prej
rreth 25 metrash, në pjesën
jugore të minierës, ose siç quhet
ndryshe "Zona D". Kjo la pa
ujë pothuajse gjysmën e qytetit
të Bulqizës, për dy ditë me
radhë, deri në riparimin e plotë
të tubacionit nga Ndërmarrja e
Ujësjellësit. E gjitha kjo ngjau
nga puna e fadromës për hapjen
e rrugës automobilistike, për të
shkuar te galeritë e kromit, ku
nga rrokullisja e gurëve të mëdhenj,
u shkatërrua tubacioni i
ujësjellësit. Por, sapo është riparuar
kjo pjesë e ujësjellësit, ka
plasur një tjetër dëmtim i tij. Kësaj
radhe, dëmtimi ka ndodhur në
pjesën veriore të minierës, në
vendin e quajtur Fushë-Hudër.
Ky është ujësjellësi i parë dhe më
i vjetër për qytetin e Bulqizës, që
furnizon pjesën dërmuese të tij
me ujë tepër cilësor. Kështu, në
harkun kohor të një jave, "lufta"
për nxjerrjen e mineralit të
kromit, nga persona të palicencuar,
ka sjellë dëmtime në
ujësjellës në dy krahët e tij. Në
çezmat e bulqizakëve ka filluar
të rrjedhë ujë i ndotur, gjë që ka
çuar në protestë të tyre pranë
Ndërmarrjes së Ujësjellësit.
Drejtori i kësaj ndërmarrjeje ing.
Sami Bruçi, tha për "Shqip", se
ndotja e ujit ka ardhur nga
dëmtimi i rrjedhjeve të ujit në
rezervuarin e "Fushë-Hudrës",
si rezultat i punimeve të kryera
me fadromë nga privati
M.Basha, në kërkim të hapjes së
galerive për të nxjerrë mineral
kromi. Ndërsa përkundër kësaj,
inspektori i higjienës në spitalin
e Bulqizës, Trifon Bici, tha se janë
bërë analizat e ujit dhe ai ka dalë
tepër i pastër. Ndërkohë, drejtori
i ujësjellësit pohon se në spitalin
e Bulqizës mungon laboratori
për analiza të ujit dhe se ata
mund të bëhen vetëm në Peshkopi.
Inspektori i higjienës,
thonë banorët e qytetit, nuk e
njeh gjendjen, pasi ai nuk është
banor i qytetit tonë. Gjithsesi,
Bulqiza, qyteti me ujë të
bollshëm dhe tepër cilësor, aktualisht
ka hyrë në krizë uji për
shkak të "etheve të kromit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›