E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkot dhe embargo

24-07-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Andej-këndej nëpër botë, le më në Serbi, komentet për arrestimin e Goran Haxhiç, kriminelit serb të radhës, i kërkuar nga Gjykata e Hagës, sa nuk thoshin që, Beogradi  e hoqi edhe gurin e mbramë pengues në rrugën Serbi - Bashkimi Europian, sikur Brukseli edhe derën e kishte hapur. Por shfaqja diplomatike e komisionerit Stefan Fyle, me deklaratën e kthjelltë se, pa njohjen e Republikës së Kosovës, për Serbinë nuk ka BE, qe një sfidë e drejtpërdrejtë përmendëse, ndoshta, e para e thënë kaq troç nga qendra e Bashkimit Europian.
Përllogaritja serbe e arrestimit të tre kriminelëve më të kërkuar të luftës - Radovan Karaxhiç, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç - në tri vjetët vendimtarë të Serbisë,  për integrim të përshpejtuar sipas saj, nuk doli të qe sfiduese e përllogaritjes politike të SHBA - BE. Po t’i lëmë mënjanë bisedimet  e sapofilluara Beograd - Prishtinë dhe tri marrëveshjet e arritura, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian dhe prani domethënëse amerikane, më shkundës në opinion, se sa arrestimi gati i harruar i Goran Haxhiç, qe vendimi serioz, në krye të një durimi dyvjeçar, më se i drejtë dhe plotësisht i ligjshëm i qeverisë së Kosovës se, “nuk njihen vulat doganore dhe të administratës tatimore të Republikës së Serbisë dhe ndalohet importi i të gjitha mallrave të përcjella me dokumente që përmbajnë këto vula”. Përtej gjuhës juridike e financiare, kjo shqip do të thotë: embargo e Kosovës ndaj të gjitha mallrave nga Republika e Serbisë. Që nga shpallja e pavarësisë, më 2008, që nga deklarimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, në mbështetje të pavarësisë, nuk ka pasur vendim tjetër më ndikues  se sa vendosmëria e Kosovës për reciprocitet. Ashtu, si në marrëdhëniet njerëzore e fqinjësore, kur dikush të thotë “Tungjatjeta”, është mirësjellje dhe detyrim t’i përgjigjesh “Tungjatjeta”. Këta, nacionalistët dhe politikanët serbë, vërtetë janë të çuditshëm: thonë e përsërisin se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe, për të mos lënë dyshime të njohjes përmes shkëmbimeve ekonomike, shpallën vendimin se në Serbi nuk do të lejohet të importohet asnjë mall nga Kosova, ndërsa vetë eksportonin qindra miliona euro mallra për në Kosovë. Ky ndalim për mallrat nga Kosova u shoqërua me bojkotim politiko - diplomatik të plotë: ku ftohet Republika e Kosovës, Beogradi prapson ftesën dhe nuk merr pjesë .  Madje, kjo nuk u ndërpre as kur filluan bisedimet Serbi - Kosovë. Presidenti Boris Tadiç bojkotoi samitin e Varshavës, ku mori pjesë dhe Presidenti i SHBA, Barak Oboma. Pse?  Nga që  atje qe ftuar Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Tadiç bojkotoi festimet në Romë, organizuar në 150-vjetorin e bashkimit të Italisë. Shkaku? Presidentja Jahjaga qe ftuar të mbante edhe një fjalim. Tadiç bojkotoi samitin e Kroacisë? Arsyeja? Sepse, atje gjendej kryeministri Hashim Thaçi. Tadiç nuk shkoi as në samitin e Ohrit. Prapë, jo?  Atje, përveç Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, qe ftuar edhe Kosova. Serbia, nën trysni dhe interes, llogariti t’i pranonte bisedimet, por ajo kryen diversion politik të pandërprerë, duke përsëritur se kjo nuk do me thënë njohje e shtetit të Kosovës, se shtrimi në tavolinë i çështjes së ndarjes nuk është e pamundur, se bisedimet nuk janë vetëm të karakterit teknik - të diskutohet edhe statusi i Kosovës.
Republika e Kosovës është shtet i vogël, i dobët, madje i  ri. Por, edhe Serbia është  shtet i vogël, i dobët, madje i dëmtuar rëndë nga nacionalizmi i vet i egër. Megjithëkëtë, Serbia e mendësisë megalomane dhe kolonialiste, arsyeton se, me fuqinë që zotëron  dhe nevojat që ka Kosova, mund të eksportojë për atje plot mallra fqinjësore dhe nëpër të katër anët e botës  përcjell pafundësisht politikë armiqësore, që të dyja në favor të vet - të marrë nga xhepat e shqiptarëve miliona euro dhe të pengojnë njohjen e Kosovën. Më në fund, në ditët kur u arrestua krimineli i fundit serb, siç u tha, Serbia mori një përgjigje domethënëse nga shteti i Kosovës, i detyruar t’ia kthente me të njëjtën monedhë: jo thua  ti, jo them dhe unë! Politikanët dhe ekonomistët serbë duhet ta dinë që, më shumë se sa për prodhim, shtetet kanë nevojë për treg. Kur, për një shtet, tregjet  janë në kufi, ato bëhen tepër të leverdishme, nga që, përveçse të garantuara, duke qenë shumë afër, kanë shpenzime të pakta për transport. Kosova, mallrat që merrte nga Serbia, do t’i bleje tjetërkund, nëse Beogradi nuk pranon vendime me interes të ndërsjellë. Deklarimet zyrtyare të Serbisë se ky vendim nuk do të mbijetojë, apo i bëjnë thirrje Bashkimit Europian të reagojë, dhe se me këtë lëvizje “irracionale” qeveria e Kosovës ia humb kuptimin dialogut të nisur dhe ndihmon në mosbesimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, marrin vetëm një përgjigje: në jug të Serbisë është shteti i Kosovës, dhe me Kosovën shtet nuk mund të silleni më si me koloninë e dikurshme  apo me territore të pushtuara. Nëse, le të themi, dërgimi i Goran Haxhiç, në Hagë, ishte dorëzimi i kriminelit të mbramë i luftrave të përfunduara, dorëzimi i fundit i Serbisë ende nuk ka ndodhur si pasojë e luftës që ajo detyroi në Kosovë. Dorëzimi i pare i Serbisë ishte mundja e saj me luftë, më 1999. Dorëzimi i dytë i Serbisë – edhe pse nuk e pranon – ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 2008. Dorëzimi i tretë i Serbisë ishte deklarimi i Gjykatës së Hagës në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, edhe pse qe kërkesë e vet Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shprehej, duke besuar se vendimi do të ishte në anën e saj. Dorëzimi i tretë i Serbisë ishte arrestimi i detyruar i kriminelëve me zë të luftës, të gjithë të gjetur rretherrotull kryeqytetit serb. Dorëzimi i fundit serb nuk ka ndodhur ende - me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Beogradi bën mirë të mos përsërisë, më tej e pafund,  fjalën “kurrë”, sepse kanë marrë përgjigje amerikane, që statusi  i Kosovës është i vendosur njëherë e përgjithmonë; sapo dëgjuan deklaratën europiane që nuk ka futje në BE pa njohur Kosovën; apo, siç tha ambasadori gjerman në Prishtinë, Hans Dieter Steinbach se, “Ajo që për Gjermaninë është shumë, shumë, shumë e qartë është sovraniteti i Kosovës”.
Sidoqoftë, lufta e “tërheqjes së litarit” Serbi - Kosovë, tani për tani është bojkoti  politik i Beogradit dhe embargo ekonomike e Prishtinës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›