E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramida, Gjykata rrëzon PS. Rama: U shemb dhe Kushtetuesja!

TIRANE - Gjykata Kushtetuese nuk mori parasysh sot një kërkesë të PS-së, për pezullimin e veprimit të ligjit që parashikon prishjen e Piramidës, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Kreu i PS reagoi menjëherë duke u shprehur se Kushtetuesja u shemb si dhe akuzoi sistemin e drejtësisë duke e cilësuar, të kapur.

Gjykata vendosi rrëzimin e kësaj kërkese, me argumentin se nuk ishte e bazuar në ligj.

Partia Socialiste kërkon shpalljen e ligjit si antikushtetues, pasi sipas saj dhunohen kompetencat e pushtetit vendor në fushën e planifikimit urban, ndërkohë që ligji ka mangësi pasi nuk parashikon faturën financiare të projektit.

Një tjetër argument i sjellë nga socialistët është fakti se Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës i është hequr në ligj statusi i saj si monument kulture.
Pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi një padi të ngjashme të bërë nga ana e Bashkisë së Tiranës.
Rama
Kreu i PS, Edi Rama ka reaguar menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Piramidën. Duke zgjedhur rrjetin social Twitter, Rama shprehet se Kushtetuesja u shemb si dhe akuzoi sistemin e drejtësisë duke e cilësuar, të kapur.
“U shemb edhe Kushtetuesja dhe u ndërtua edhe maja e piramidës së drejtësisë së kapur!”.

(da.bo/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›