"Piramida", fitimet nga paratë e falsifikimeve për makina e seks
Të arrestuarit gjatë operacionit të koduar "Piramida" bënin një jetë luksi plot me dëshira me paratë e fituara nga aktiviteti i falsifikimit të parave. Nga përgjimet e realizuara nga Prokuroria e Tiranës ka rezultuar se të pandehurit, pasi merrnin ryshfetet, blinin automjete të shtrenjta. Adoleshentët që bënin pjesë në grupin e strukturuar kriminal shpenzonin shuma të konsiderueshme për seks e jetë qejfi. Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se jetimi ndaj grupit është realizuar me indicie vetëm nga kallëzimet e shumta të qytetarëve, të cilët në një farë mënyre kanë qenë edhe viktimat e këtij krimi financiar. "Shumica e parave që falsifikoheshin përdoreshin për jetë luksi nga të arrestuarit, duke i shpërdoruar ato në blerjen e dozave të drogës, makina si dhe seks" deklarojnë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, nuk është provuar nëse të arrestuarit i përdornin paratë për të hapur biznese apo për t‘i ligjëruar ato në aktivitete të ndryshme. Ndërkohë 6 prej të ndaluarve dyshohen edhe për vjedhje, pasi në banesa u janë gjetur sende dhe maska, me të cilët mund të kryenin grabitje.
Sipas burimeve nga prokuroria zbardhja e këtij grupi është realizuar në harkun kohor të gjashtë muajve, kanë filluar hetimet, duke vënë në përgjim një numër të madh personash. Hetimet kanë filluar, pasi janë depozituar në një kohë të shkurtër rreth 100 kallëzime. Grupi kriminal vepronte në qytetet e Tiranës, Durrësit, Fierit, Beratit, Sarandës, Elbasanit, Pogradecit, Korçës, Shkodrës dhe Kukësit. "Në sajë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, është bërë dokumentimi i veprimtarisë dhe lidhjeve të shtetasve të implikuar në këtë veprimtari, si dhe gjetja e sekuestrimit e provave konkrete", thanë burimet nga prokuroria. Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit kanë prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të reja. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë në afërsi të rrugës "5 Maji", ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm. Ata kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, kryesisht në Tiranë, në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private. Ndërkohë që grupit i është sekuestruar shuma e parave prej 1.4 milionë lekësh, kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000, 5000 lekë të reja, kompjuterë dhe lap top, të cilët shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, që shërbenin për printimin e prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara. Gjithashtu janë sekuestruar makineri për prerjen e kartëmonedhave të falsifikuara, USB, që përmbante materialet e krijuara për realizimin e kësaj veprimtarie, fishekë të kalibrave të ndryshëm, një armë zjarri e llojit pushkë, maska të ngjashme me ato të forcave speciale, një sasi e konsiderueshme kartash telefoni prej 400 numrash dhe rreth 100 aparate celularë.
S.Çobo